KOSOVË-Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme, pasi procesi për zgjedhjen e presidentit ka dështuar të përmbyllet brenda afateve kushtetuese, duke thelluar krizën politike dhe institucionale në vend.
Pas disa tentimeve në Kuvend dhe mungesës së konsensusit politik mes pozitës dhe opozitës, partitë nuk arritën të sigurojnë kuorumin dhe marrëveshjen e nevojshme për zgjedhjen e kreut të shtetit. Dështimi për zgjedhjen e presidentit e ka çuar vendin në një situatë të re politike.
Në seancën e 28 prillit përfaqësues të partive politike shkëmbyen akuza për përgjegjësinë e dështimit. Partia në pushtet e Albin Kurtit me fajësoi opozitën për mungesë bashkëpunimi, ndërsa partitë opozitare akuzuan qeverinë për keqmenaxhim të procesit dhe tentativa për ta përdorur krizën për kalkulime elektorale.
“I provuam të gjitha” – tha Kurti që renditi një sërë ofertash që i kishte bërë opozitës.
Partia Demokratike e Kosovës vlerësoi se me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit është shmangur një ndër shkeljet më të rënda të Kushtetutës dhe një tentativë e rrezikshme për demokracinë e Kosovës.
Moszgjedhja e presidentit brenda afatit kushtetues hap rrugën për shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare. Brenda 45 ditësh Kosova duhet të mbajë zgjedhje që llogariten të zhvillohen rreth fillimit të qershorit. Këto do të jenë zgjedhjet e pesta që nga viti i kaluar./ZËRI



