ELBASAN- Debati për reformën e re administrativo-territoriale ka vazhduar sot në Elbasan, gjatë turit të dëgjesave me qytetarët, ku përfaqësues të maxhorancës dhe opozitës shfaqën qëndrime të kundërta. Sipas socialistëve, diskutimi për këtë reformë nuk duhet të nisë nga kufijtë, por nga shërbimi për qytetarët.
“Ta fokusojmë jo aq tek territori, por çfarë mjetesh i duhen bashkive”, tha Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Territoriale nga PS.
Por, nga ana tjetër, demokratët këmbëngulin se kjo gjë arrihet përmes shtimit të numrit të bashkive. Sipas demokratëve, përmirësimi i shërbimeve kërkon edhe ndryshime në hartën territoriale, duke shtuar numrin e bashkive.
“Ky rol i pushtetit vendor duhet të shoqërohet edhe me një ndryshim të hartës territoriale, që ky pushtet lokal t’u shërbejë qytetarëve dhe t’i ofrojë këto shërbime”, u shpreh Luçiano Boçi, bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale nga PD.
Socialistët pretendojnë se integrimit të vendit në Bashkimin Europian, bashkitë do kenë një rol kyç në përfitimin e fondeve nga dy programet, ai i kohezionit dhe i fondeve strukturore.
“Do jenë mekanizma, që do marrë tërheqjen e këtyre fondeve dhe në atë kohë na duhen bashki të afta”, tha Mazniku.
Ndërkohë që demokratët insistojnë se në tryezë nuk i ka sjellë aspak BE-ja. Anëtarët demokratë theksojnë se nevoja për ndryshime lind pas reformës së dështuar të 2014-ës dhe ndryshimeve të bëra më 2015-ën.
““Nëse reforma e vitit 2014 ka qenë e mirë, atëherë pse po kërkojmë sot rishikim? Nuk mund të përsëriten të njëjtat argumente si atëherë, pa u treguar konkretisht ku qëndron problemi sot…Nuk futet fare reforma territoriale. Reforma territoriale pengon thithjet e fondeve të kohezionit? Por duhet një administratë eficente dhe projekte të mira”, u shpreh Boçi.
Reforma territoriale mbetet një çështje kyçe për organizimin administrativ të vendit dhe për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Kompromiset mes partive në tavolinë, do të vendosin formën përfundimtare të ndarjes së bashkive./ZËRI



