TIRANË- Teksa më pak se një muaj kanë mbetur nga mbarimi i mandatit të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, më 22 maj, ish-kryeministri është i vetmi kandidat i cili do të kërkojë besimin e demokratëve më 23 maj për t’i udhëhequr në 4 vitet e ardhshme.
Mesnatën e 30 prillit skadoi afati për dorëzimin e kandidaturave për postin e kryetarit të Partisë Demokratike. Ish-kryeministri Sali Berisha do të jetë i vetëm në garën për kreun e Partisë Demokratike, pasi Komisioni Zgjedhor në PD ka skualifikuar nga gara mjeken Mereme Sela si dhe kandidatin tjetër Vladimir Mulaj. Në vendim thuhet se Sela dhe Mulaj, nuk janë kualifikuar si kandidatë pasi nuk plotësonin kriteret.
Konkretish në vlerësimin e detajuar të kandidaturave, komisioni doli në përfundimin se, Sali Berisha plotëson të gjitha kriteret statutore për të qenë kryetar. Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj u skualifikuan unanimisht nga komisioni, ku arsyetohet se megjithëse janë anëtarë të PD-së, ata nuk plotësojnë kriterin e të qenit një “figurë me profil shumë të lartë publik dhe politik” dhe u mungon “eksperienca drejtuese elektorale në nivel kombëtar apo rajonal”.
Ndërkohë kandidaturat e ish-deputetit Ervin Salianji, aktivistes Evi Kokolari dhe Alesia Balliut u refuzuan. Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike janë planifikuar të mbahen më 23 maj. Ndërkohë, më 6 qershor pritet të zhvillohet edhe Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, ku do të formalizohen strukturat drejtuese dhe vendimmarrjet e reja politike të kësaj force.
Sali Berisha u zgjodh kryetari i PD në vitin 1991 dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 1992 kur u bë Presidenti i Shqipërisë. Ai u rikthye në krye të PD në vitin 1997 dhe e drejtoi këtë parti deri në vitin 2013 kur dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Në shtatorin e vitit 2021 Berisha nisi lëvizjen “Foltorja” pasi Lulzim Basha asokohe kryetar i PD e përjashtoi nga Grupi Parlamentar. Në dhjetorin e vitit 2021 demokratët shkarkuan Lulzim Bashën dhe në 22 majin e vitit 2022 Sali Berisha u zgjodh kryetar i PD./ZËRI
Dokumenta bashkëngjitur



