TIRANË- Mbledhja e sotme e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, nisi me raportime dhe u mbyll me porositë e liderit socialist për dëputetët dhe ministrat.
Ndërkohë që gjatë mbledhjes, burimet raportuan se ka pasur diskutime dhe debate, ndërsa janë ngritur edhe tonet nga ana e kryeministrit Rama, teksa i është drejtuar ish-ministres Elisa Spiropali.
Por, ky nuk ka qenë episodi i vetëm që Rama i drejtohet apo përmend një deputet nga radhët e socialistëve gjatë mbledhjes. Gjatë fjalës së tij para deputetëve, ai përmendi Erion Braçen, duke sjellë në vëmendje një episod që, sipas tij, ia kishte rrëfyer gazetarja Jonida Shehu. Kjo e fundit, sipas Ramës, i kishte thënë se një deputet kishte refuzuar të dilte në media me fjalinë: “Pse si Erjon Braçe do bëhemi ne?”
“Ta keni për nder të merrni modelin e atij. Ama si ai nuk bëheni dot. Nuk ka të dytë dhe nuk durohen dy”, është shprehur Rama.
Një koment, që sipas burimeve, në mbledhje është interpretuar si një sinjal relaksi në raport me deputetin socialist, ndryshe nga përplasja e mëparshme që ai pati me Elisa Spiropalin. Vetë Braçe, raportohet se nuk ka marrë fjalën gjatë mbledhjes, as për replikë.
Ndërkohë që, nga ana tjetër, mes Ramës dhe Spiropalit, tonet kanë qenë më të ashpra. Madje, Rama e ka paralajmëruar me largim, dhe në momentin që ish-ministrja dhe deputetja ka kërkuar të replikojë, kryeministri nuk e ka lejuar.
Procesi i intergrimit ka qenë tema krysore dhe fokusi i mbledhjes, ku Rama ka dhënë porositë e tij dhe ka këkrkuar punë intensive. Gjithashtu, ka pasur raportime nga gjashtë drejtues politikë të qarqeve. Konkretisht, drejtuesit e qarkut të: Dibrës, Beratit, Fierit, Elbasanit dhe Durrësit. Po ashtu, raportime edhe nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka, sa u takon negociatave të anëtarësimit në BE.
Mbledhja e socialistëve vjen në një kohë, ku qeveria ka dorëzuar në Kuvend një raport të detajuar sa i përket negocimit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në raport, evidentohen progrese në fusha që shërbejnë si pjesë e përmbushjes së standardeve të kërkuara në procesin e negociatave me BE./ZËRI




