MAQEDONI E VERIUT- Ministri për Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me kryetarin e Lëvizjes Demokratike në Maqedoninë e Veriut, Izet Mexhiti.
Gjatë konferencës ai u pyet nga gazetarët edhe për mesazhin ku pretendohet se ai iu është drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, “po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”. Hoxha hodhi poshtë çdo aludim të krijuar pas mesazheve që janë publikuar së fundmi.
“Keni mbetur te java e kaluar, ndërkohë që gjërat kanë evoluar. Nuk ka asgjë të vërtetë nga ato mesazhe, nuk do më tërhiqni ku doni ju ,unë kam evoluuar, Shqipëria është duke ecur në rrugën e BE dhe nuk do merrem me tymnaja,” tha ai.
Bëhet fjalë për një mesazj të publikuar së fundmi në rrjete sociale nga deputetë të Partisë Demokratike, ku pretendohet se Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha iu është drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, “po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”, në një komunikim në një grup të Ministrisë per Evropën dhe Punët e Jashtme ka hapur debat.
Zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Alteo Hysi, në emër të Hoxhës deklaroi se ky mesazh nuk është i vërtetë. Sipas reagimit, komunikimi i shpërndarë nga deputeti nuk ka asnjë lidhje me realitetin.
Zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme Alteo Hysi: Zëdhenësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen për publikimet e shpërndara sot në mediat sociale, të cilat pretendojnë të paraqesin komunikime të brendshme, por që në fakt janë të pavërteta. Ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Komunikimi i servirur publikut është paqenë. Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend. Kjo nuk është hera e parë që në arenën publike hidhen pretendime se anëtarë të shërbimit të jashtëm gjoja shkelin betimin e tyre. Ministri Hoxha shpreh besim të plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e Shërbimit të Jashtëm, i cili vijon të përmbushë detyrat me përkushtim, duke u fokusuar në punën e tij dhe duke mos u ndikuar nga zhurmat dhe tymnajat e qëllimshme./ZËRI





