TIRANË- Kreu i PD-së Sali Berisha mblodhi këtë të hënë në selinë blu, kryetarët e degëve të partisë. Gjatë fjalës së tij në mbledhjes, kryedemokrati pranoi disa gabime, të cilat sipas tij, janë bërë ndër vite dhe kanë ndikuar në organizmin dhe funksionimin e kësaj force politike. Lideri demokrat u dha disa porosi drejtuesve të degëve dhe atyre politikë që të riorganizojnë partinë në qarqet e tyre.
Një tjetër fokus i mbledhjes ishte përgatitja për protestën e paralajmëruar më 8 maj, për të cilën ai kërkoi takime intensive me qytetarët dhe mobilizim në terren.
“Nga ju drejtuesit e degëve të PD kërkohet një përqendrim total në përgatitjen e protestës së ardhshme të datës 8 maj, një takim dhe biseda intensive me qytetarët për t’u shpjeguar atyre se nuk ka dhe nuk ka pasur armik më të egër se Edi Rama për shqiptarët dhe për Shqipërinë.
Së dyti, ju e keni të qartë se për të gjithë ju, për të gjithë ne, kryefjala e të gjithë kryefjalëve është organizim, organizim, organizim. Ne jemi parti e madhe, ata që e vënë në dyshim këtë, gabojnë. Por ne kemi pasur një problem, dhe duhet t’i njohim problemet tona, ne nuk jemi marrë në shkallën e duhur me organizimin.
Për një seri, por ne nuk jemi ata që kemi përkushtuar në shkallën e duhur energjitë, përqendrimin tonë. Ndaj dhe sot dhe çdo ditë, kryetarët, anëtarët e kryesive, drejtuesit e qarqeve, koordinatorët, kryetarët e grup seksioneve, kanë detyrën më të rëndësishme, organizimin, riorganizimin e kësaj partie, nga seksionet, gjer në drejtimet kryesore. Edhe kjo është e domosdoshme për t’u përballur me situatën e krijuar. Edi Rama është në pozitë të vështirë, nuk del më nga ky qerthull. Edi Rama del nga ky qerthull vetëm po e lamë ne.”, tha Berisha.



