TIRANË-Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot, në orën 10:00, seancën plenare të radhës. Në rend dite janë 4 interpelanca dhe një sërë projektligjesh të rëndësishme për ratifikime ndërkombëtare dhe ndryshime ligjore.
Konkretisht, do të zhvillohet një interpelancë urgjente me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, dhe një tjetër me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, të kërkuara nga deputetë të Partisë Demokratike. Po ashtu, në rend dite janë edhe interpelanca me kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Albana Koçiu, të kërkuara nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
Sa i përket interpelancës me kryeministrin nuk dihet ende nëse Rama do të paraqitet në Kuvend, pasi pritet të udhëtojë drejt Italisë ku do të zhvillojë një takim me kryeministren Giorgia Meloni.
Kuvendi do të shqyrtojë edhe disa projektligje të rëndësishme, mes të cilave ratifikimi i një protokolli shtesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, si dhe marrëveshje financimi për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në veri të vendit pas tërmetit të vitit 2019.
Gjithashtu, deputetët do të diskutojnë ratifikimin e një marrëveshjeje me Gjermaninë për bashkëpunimin teknik në kuadër të projektit “Green Vjosa”, si dhe aderimin e Shqipërisë në një marrëveshje ndërkombëtare për menaxhimin e burimeve peshkore.
Në rend dite përfshihen edhe ndryshime në ligjin “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, si dhe një projektvendim për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës.



