BRUKSEL- Komisionerja për zgjerimin Marta Kos gjatë një diskutimi në Këshillin Atlantik ka deklaruar se Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE edhe para vitit 2030. Kos vlerësoi progresin e bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, duke veçuar Shqipëria dhe Mali i Zi si dy kandidatët kryesorë në rrugën drejt anëtarësimit. Sipas Kos, Shqipëria ka shprehur vendosmërinë për të përfunduar negociatat deri në fund të vitit të ardhshëm.
“Në Ballkanin Perëndimor, kemi dy kandidatë kryesorë, Malin e Zi që shpreson të mbyllë të gjitha kapitujt e tij deri në fund të këtij viti, dhe pastaj Shqipërinë që ka shprehur vendosmërinë për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit të ardhshëm. Zakonisht, ne nuk caktojmë data në procesin e zgjerimit, sepse ky proces është i bazuar në meritë. Pra, varet se si po i arrijnë rezultatet shtetet kandidate. Por sigurisht, ne mbështesim objektivat e tyre ambicioze. Së pari, Mali i Zi, me 650 mijë banorë, mund të bëhet shteti anëtar i 28-të i BE-së. Është gjithashtu e mundur që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2030 ose edhe më herët.”, tha ajo.
Kos shprehet se shtetet anëtare nuk kanë pranuar alternativa të tjera veç rregullave aktuale, ku pranimi i një shteti të ri në BE nuk do të anashkalojë asnjë nga kriteret aktuale në fuqi.
Gjatë një intervistë për BBC, Kos dha sinjale inkurajuese për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ajo e cilësoi Shqipërinë si një nga rastet që po shënon progres të qëndrueshëm në përmbushjen e detyrimeve për anëtarësim.
Deklaratat e saj vijnë në një moment të rëndësishëm për procesin e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilëve është edhe Shqipëria. /ZËRI



