TIRANË- Kryeministri Edi Rama deklaroi në podcastin “Flasim” se një analizë e realizuar me inteligjencë artificiale nga një startup djemsh shqiptar tregon se shumica e hapësirës mediatike në Shqipëri dominohet nga qëndrimet kundër qeverisë.
Sipas Ramës, analiza është ndërtuar mbi grumbullimin dhe vlerësimin e qëndrimeve mediatike, artikujve dhe komenteve në median tradicionale dhe online në raport me politikën. Ai tha se rezultatet nuk e kanë surprizuar, pasi sipas tij pasqyrojnë realitetin e marrëdhënies mes medias dhe qeverisë. Sipas kryeministrit, këto të dhëna provojnë se Shqipëria nuk është një vend me media të kapura nga qeveria dhe se askujt “nuk i mbyllet goja” për të kritikuar pushtetin.
“Këtë javë postova një analizë të bërë nga një startup djemsh të talentuar shqiptarë me inteligjencë artificiale për të grumbulluar dhe vlerësuar kahjen e qëndrimeve mediatike, të artikujve dhe komenteve në median tradicionale dhe në median online në raport me politikën. E postova sepse ishte një pasqyrë që mua personalisht nuk më surprizoi, pasi unë dhe ne e dimë shumë mirë realitetin faktik të raportit mes medias dhe qeverisë dhe shumicës qeverisëse, që nuk është gjëkundi realiteti i pretenduar nga ulëritësit që nuk dinë ç’të bëjnë tjetër me lirinë e medias, përveçse të ankohen për mungesën e lirisë. Por ishte një pasqyrë, sipas meje, e vlefshme për t’u ndarë me shumëkënd që do të informohet, me shumëkënd që është i interesuar për faktet dhe me shumëkënd që, në të gjitha rastet, nuk e humb respektin për faktet dhe nuk hyn në luftë me faktet kur ato provojnë një opinion të ndryshëm nga i tij apo i saj.
Në këtë pasqyrë rezulton qartësisht se, nga gjithë tërësia e produkteve të medias në raport me politikën, 60% e kohës televizive në Shqipëri, në total, e merr opozita, në kuptimin e qëndrimit antiqeveri. Një pjesë tjetër analiza faktike e nxjerr si të balancuar dhe një pjesë shumë të vogël si pro qeverisë. Ndërkohë, po e njëjta situatë, pak a shumë, është edhe në median online, pra në portale të cilat anojnë qartësisht nga fronti, nga kampi, nga fusha e atyre që janë kundër qeverisë.
Për këtë, mua sinqerisht më vjen mirë, pasi bëhet e qartë që këtu nuk jemi në një vend me media të kapura. Këtu nuk jemi në një vend ku u mbyllet goja atyre që flasin, komentojnë, argumentojnë dhe shkruajnë kundër qeverisë. Këtu jemi në një vend ku, si rrallëkund tjetër, dominon pikërisht e kundërta e atij dominimi që i karakterizon vendet me media të kapura ose me media që u shërbejnë regjimeve apo autokracive elektorale.
Kështu që, thënë të gjitha këto, unë kam një teori shumë të thjeshtë edhe për arsyen pse çdo përpjekje për të kapur mediat është një përpjekje që nuk të çon në fitoren e zemrave dhe të mendjeve të njerëzve. Nga ana tjetër, patjetër që, duke i lënë të lirë të gjithë të thonë atë që duan, njerëzit e kanë më të thjeshtë të bëjnë dallimin mes atyre që bëjnë punët, atyre që përpiqen çdo ditë, atyre që edhe rrëzohen, por rrëzohen në një përpjekje për të ecur përpara, dhe atyre që shtrihen në kolltuk dhe ulërijnë nëpër gardhet e pakapërcyeshme të vetëvendosura nga mungesa e vizionit”, tha ai.
/ZËRI



