TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka folur në Asamblenë e Partisë Socilaiste në Elbasan për mënyrën si, sipas tij, perceptohet Shqipëria në raport me lirinë e mediave dhe realitetin e zhvillimeve në vend, duke thënë se shpesh ndërkombëtarët bien “pre e narrativave të gabuara”. Ai pranoi se në Shqipëri ka probleme në sektorin e medias, përfshirë çështjet e pronësisë, sigurisë së gazetarëve dhe formalizimit të pagave, por theksoi se realiteti, sipas tij, nuk pasqyrohet gjithmonë drejt.
Kryeministri tha se, sipas tij, mediat shpesh fokusohen te problemet dhe jo te arritjet konkrete të qeverisë. Si shembull, ai përmendi sektorin e bujqësisë, duke thënë se rrallë pasqyrohen investimet dhe politikat mbështetëse për fermerët. Rama solli si shembull ndryshimet në skemën e mbështetjes për fermerët, duke deklaruar se subvencioni i naftës është hequr dhe është zëvendësuar me një skemë të re rimbursimi.
Sipas tij, skema e re parashikon që fermerët që shesin me faturë të përfitojnë rimbursim prej 10% të vlerës së faturave, me një vlerë totale të pritshme nga 40 deri në 55 milion euro.
“Dhe pyetja që bëjnë njerëzit ata të huaj që bien pre e gjithë këtij helmi, sepse edhe organizata prestigjioze publikojnë çudira për Shqipërinë kur vjen puna te liria e mediave, ndërkohë që realiteti është ai që tregojnë faktet dhe patjetër që mediat në Shqipëri kanë probleme dhe ata kanë të drejtë kur thonë kanë probleme të pronësisë, kanë probleme të sigurisë së vendit të punës për gazetarë, të formalizimit të pagave të tyre, e tjerë, e të tjerë, e të tjerë. Por aty ku bien pre është, po mirë si fiton kjo parti? Si ka mundësi që fiton kjo parti dhe fiton e fiton, e fiton, madje fiton dhe më shumë kur vjen për të kërkuar mandatin e katërt dhe ndërkohë i paska edhe mediat kundër? Po shpjegimi është në realitet e fakteve.
Keni parë ju ndonjë media që të thotë ndonjë gjë se çfarë ka bërë për shembull ministri i Bujqësisë në këtë periudhë? Nuk keni parë! S’besoj të keni parë! Po me siguri keni parë lajme, keni parë kronika, keni dëgjuar fjalime, copëza fjalimesh nëpër ato portalet që postohen me kështu me video që, “Si u lanë në rrugë fermerët, se u pre subvencioni i naftës? Si bujqësia ka marrë fund”? Këto, po i keni parë. Ndërkohë që e vërteta dhe e vërteta që dinë njerëzit në fshat, ata që votojnë, nuk është ajo që thonë ato pasqyra, por është ajo që ata prekin. Se nuk është aspak e vështirë që në atë 30% që nuk na voton ne në një fshat X ku ne marrim 70% të gjesh tre veta që të thonë të gjitha të zezat apo të gjesh njerëz të cilët realisht nuk kanë sukses dhe nuk kanë fare “sy për qabe” kur i thonë në atë punë.
Ama e vërteta është që ne dhe këtë e dinë ata fermerët, ne kemi hequr subvencionin e naftës që ishte një shumë prej 18 milion eurosh dhe ndërkohë kemi vendosur një gjë tjetër Të gjithë ata të cilët do të shesin me faturë dhe do dorëzojnë faturat do marrin mbrapsht 10% të vlerës së faturave që në totalin e vetë ne parashikojmë të jetë nga 40 deri në 55 milion euro dhe kjo do të bëjë që ato 40 dhe deri në 55 milion euro varet se sa do vijnë në këtë fazë të parë sepse pastaj kur ta mësojnë të gjithë që nuk ka më asnjë kokërr leku nëse ti nuk tregon faturat, por ama kur tregon faturat ka më shumë, janë të ardhura nga buxheti i shtetit që do t’ shkojnë fermerëve, por njëkohësisht janë një hap i madh në formalizimin më në fund të një pjese të ekonomisë që nuk mund të hyjë në Bashkimin Europian informale.”– u shpreh Rama nga Elbasani./ZËRI



