TIRANË- Ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, njoftoi miratimin e projektit “Porta e Alpeve”. Në konferencën për gazetarët pas mbledhjes së qeverisë, ministri tha se ky projekt, i rëndësishëm infrastrukturor për qarkun e Shkodrës, do krijojë për herë të parë një korridor që lidh Alpet me bregdetin e Adriatikut.
Karakaçi tha se projekti quhet “Porta e Alpeve” dhe është i financuar në vlerën 50 milionë euro me Bankën Evropiane të Investimeve dhe 50 milionë euro nga buxheti i shtetit.
“Porta e Alpeve nënkupton një marrëveshje financimi me Bankën Europiane në 50 mln euro dhe 50 mln euro të alokuara nga buxheti i qeverisë shqiptare. 100 milionë euro në total për projekte infrastrukturore të natyrave të veçanta. Programi dhe marrëveshja ka disa komponentë për rehabilitimin e shesheve urbane e rikonstruksionin e bulevardeve. Investime infrastrukturore në akset që lidhin bregdetin e Velipojës, liqenin e Shkodrës, lumin e Bunës dhe Alpet. Investime në rrjet kanalizime-ujësjellës, transportin urban dhe elementët turistikë për menaxhimin e ndotjes urbane. Krijojmë për herë të parë një korridor të integruar mes Alpeve dhe bregdetit Adriatik për të pasur sezon turistik nga dimri në verë dhe ndihmuar zhvillimin ekonomik”, u shpreh ministri.



