TIRANË- Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar pas mbledhjes së qeverisë se çmimet në treg po monitorohen në mënyrë të përditshme. Sipas ministres, nga monitorimet e fundit është vënë re një rritje çmimesh kryesisht te frutat dhe perimet.
Ibrahimaj theksoi se autoritetet po ndjekin situatën në vijimësi dhe se monitorimi i çmimeve të 80 produkteve bazë bëhet çdo ditë, me qëllim shmangien e abuzimeve në treg. Minsitrja shtoi se në rast nevoje, do të ndërhyhet me subvencione për personat në nevojë, veçanërisht për të lehtësuar ndikimin e rritjes së çmimeve të ushqimeve.
“Sigurisht, në bazë ditore ne monitorojmë çmimet me qëllim që të garantojmë që çmimet në tabelë të karburanteve. Ditët e fundit, që nga mesi i muajit mars, kemi parë rritje të çmimeve të fruta dhe perimeve. Inflacioni në muajin mars ishte 2.6 përqind, një rritje e lehtë. Që nga fillimi i krizës, kemi monitoruar me bazë ditore, të gjitha produktet e shportës. Janë 80 produkte të shportës që monitorohen me bazë ditore. Rritja ka ndodhur te kategoritë e perimeve. Ne kemi filluar monitorimin, duke qenë se nga eksperienca e luftës në Ukrainë, në të gjithë botën pati rritje të inflacionit. Ky është shqetësim që monitorohet dhe diskutohet në çdo mbledhje të Këshillit të Ministrave. Do subvencionojmë personat në nevojë”, theksoi Ibrahimaj. /ZËRI



