TIRANË- Deputetët e Partisë Demokratike, të përjashtuar nga Komisioni i Etikës në Kuvend, i janë drejtuar Gjykatës Administrative duke kërkuar shfuqizimin e vendimit që i përjashtoi për afro dy muaj nga punimet parlamentare.
Padia është depozituar nga deputetët Albana Vokshi, Flamur Noka, Elda Hoti, Fidel Kreka dhe Klevis Balliu, të cilët u ndëshkuan pas seancave të tensionuara në fund të vitit 2025.
Për shkak të incidenteve në sallën e Kuvendit, kanë qenë të shumta rastet kur deputetët e opozitës janë përjashtuar nga seancat plenare. Përjashtimi i atyre ka ardhur me kërkesë të mazhorancës, pas incidenteve të ndryshme, përfshirë përdorimin e flakadanëve, ndërprerjen e seancave, përplasjet me Gardën dhe hedhjen e sendeve në drejtim të kryetarit të Kuvendit.
Kjo është hera e parë që ata i drejtohen gjykatës pas një mase disiplinore të marrë nga Kuvendi. Në padi, deputetët pretendojnë se gjatë shqyrtimit në Sekretariatin për Procedurën, Votimet dhe Etikën nuk u është dhënë mundësia për t’u dëgjuar apo për të paraqitur shpjegimet e tyre.
Sipas tyre, mbledhja është mbyllur në mënyrë të njëanshme nga sekretari Ulsi Manja, i cili bashkë me përfaqësues të shumicës parlamentare ka marrë vendimin në një ambient të mbyllur, pa transparencë. Partia Demokratike e konsideron këtë vendim si abuzim nga ana e shumicës socialiste, duke argumentuar se masat disiplinore janë joproporcionale dhe kanë karakter politik.
“Gjatë shqyrtimit në Sekretariatin për Procedurën, Votimet dhe Etikën, deputetëve nuk iu është dhënë mundësia as për t’u pyetur, as për t’u dëgjuar, as për të paraqitur shpjegimet e tyre apo për t’u njohur me provat dhe dokumentet e tjera, pasi Sekretari Ulsi Manja ka vendosur mbylljen e mbledhjes dhe tërheqjen për vendim, në kushtet e një diskutimi për zhvillimi e mbledhjes me dyer të hapura, dhe së bashku me dy kolegët e tij deputetë të Partisë Socialiste janë tërhequr për vendim, duke u mbledhur në një zyrë të mbyllur dhe kanë marrë vendimin për përjashtimin e kolegëve të tyre, kundërshtarë politikë.”
Është e qartë se vendosja e këtyre masave kaq të ashpra është një abuzim i shumicës parlamentare me pozitën e saj dominuese përballë opozitës. Dhe për më tepër, nisur nga rrethanat konkrete të përshkruara në kërkesën e datës 18.12.2025 të 34 deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, është e qartë se kemi të bëjmë me masa disiplinore joproporcionale, që kanë për qëllim ndëshkimin politik të deputetëve të opozitës për aktet e tyre të protestës, brenda dhe jashtë sallës së Parlamentit”, thotë padia.
Më 7 prill, Sekretariati i Etikës në Kuvend vendosi përjashtimin e deputetit Flamur Noka për 20 ditë dhe të deputetes Elda Hoti për 10 ditë, pas tensioneve të regjistruara në seancën e 2 prillit. Ndërkohë që deputetët Albana Vokshi dhe Taulant Balla nuk janë ndëshkuar. Grupi i PS-së kërkoi përjashtimin e Flamur Nokës dhe deputeteve Albana Vokshi e Elda Hoti. Kjo pasi, në seancën e 2 prillit, Hoti tentoi të ndërpriste fjalën e Bora Muzhaqit, duke i hequr kartën nga pajisja, ndërsa Noka goditi me shishe uji dhe kërcënoi Ballën. Nga ana tjetër, Grupi i PD-së kërkoi përjashtimin e Taulant Ballës për 60 ditë, duke akuzuar përdorim të gjuhës fyese ndaj deputetes Elda Hoti dhe deputetit Fatmir Mediu po në të njëjtën seancë plenare./ZËRI





