TIRANË- Kryeministri Edi Rama nga Asambleja e PS-së në Lushnjë theksoi edhe një herë se nuk ka bllokim negociatash me BE, ndërsa deklaratat e opozitës, i quajti ‘gënjeshtër me 7 bishta’. Sipas Ramës, pretendimet për bllokimin e negociatave janë të pavërteta dhe se vendi po ecën sipas planit të BE-së.
Gjatë fjalës së tij, Rama ironizoi opozitën sa i përket sipas tij, përpjekjeve të tyre për të ndikuar negativisht në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Sipas kryeministrit, kjo gjë nuk ka ndodhur as me opozitat e Maqedonisë së Veriut apo Malit të Zi, ndërsa shtoi se iu “gënjen mendja se do na mundin ne këtu duke dalë në televizion jashtë shtetit, duke lehur në Bruksel”.
“Maqedonia ka qenë në luftë të madhe politike dhe në prag konfliktit civil, por nuk ka bërë vaki të vijë opozita maqedonase në Bruksel duke u lutur ndalojeni Maqedoninë. Mali i Zi ka probleme të harmonisë etnike nuk ka bërë vaki të vijë opozita malazeze në Bruksel, ata kanë përfaqësinë e tyre me 50 veta, mijëra njerëz në Bruksel, shkojnë këta dhe u thonë atyre ça ndodh në Shqipëri.
Bullgaria nuk ka paqe me zgjedhje stërzgjedhje. Por nuk ka ndodhur që partitë të nisen pas Berihajit dhe të bëjnë copash vendin e tyre. Këtë e bëjnë vetëm, ata që nuk i kemi përballë, i kemi prapa, gjithmonë e më prapa. Por ama, nuk ndodhin këto gjëra. Nuk dalin njerëzit nga vetja të sakatojnë vendin e tyre në gjuhë të huaj. I gënjen mendja se na mundin ne këtu duke dalë në TV jashtë shtetit, duke lehur në Bruksel. Sa më shumë e bëjnë këtë gjë, aq më shumë do zhyten. Jo të gjithë janë të lumtur që Shqipëria po bën progres. Kemi shkuar 1.5 mld investime të huaja.”, tha Rama.



