Klubi i Torinos ka vendosur të ndërmarrë ndryshime të rëndësishme pas rezultateve jo dhe aq bindëse në startin e këtij sezoni. Trajneri Marko Baroni për momentin nuk preket, por në klubin ku bëjnë pjesë Ardian Ismajli dhe Kristjan Asllani, do të ketë ndryshime shumë të rëndësishme.

Drejtori sportiv Davide Vanjati, është shkarkuar sot nga drejtimi, duke ia faturuar atij zhgënjimet e deritanishme të skuadrës që nuk ka qenë në lartësinë e duhur në këtë edicion. Në drejtim kthehet një emër i njohur për Torinon, ish-drejtori sportiv Xhanluka Petraki, i cili ka mbajtur këtë rol nga viti 2010, deri në vitin 2019.
Ai ka qenë në një nga periudhat më të suksesshme të klubit, kur Torino ia doli që të shkonte deri në kompeticionet europiane dhe afroi një brez shumë interesant lojtarësh të cilët shpërthyen në radhët e tij. Ndaj pritet që me afrimin e Petrakit, Torino të tentojë të bëjë lëvizje të rëndësishme që në merkaton e janarit.
Mbetet të mësohet se si ky ndryshim do të ndikojë te e ardhmja e Ismajlit dhe Asllanit, sidomos këtij të fundit, i cili është huazim nga Interi dhe Torino duhet të vendosë nëse do të blejë kartonin e tij apo jo.








