Mazhoranca rrëzon pr/ligjit e PD për naftën, “shpërthen” Bardhi e Bozdo: Na trajtoni me urrejtje…Se vini ujin në zjarr


Mazhoranca rrëzon pr/ligjit e PD për naftën,

kuvendi

TIRANË- Mazhoranca ka rrëzuar me 77 vota kundër kërkesën e PD për të nisur procedurën e përshpejtuar sa i përket projektligjit të propozuar për uljen e çmimit të naftës. Bëhet fjalë për propozimin e Partisë Demokratike që u dorëzua në Kuvend, një ditë më parë. 

Në propozimin e PD-së drejtuar Kuvendit, kërkohët që TVSH-ja që akumulohet nga rritja e çmimit të karburantit të shkojë automatikisht për uljen e akcizës së naftës. Sipas PD, nëse kjo masë do të aplikohej, sot çmimi i naftës nuk do ishte më i lartë se 180 lekë për litër. 

Pas votimit në Kuvend, deputeti Gazment Bardhi reagoi i revoltuar. Bardhi akuzoi mazhorancën se nuk kalon asnjë propozim të PD-së, duke thënë se e trajton opozitën me urrejtje të madhe. 

“Nuk bën sens votimi që sapo bëtë. Është paketë ligjore me 2 projektligje. Ligji që bën pjesë në këtë paketë të shqyrtohet me 16 prill. Me çdo gjë kërkoni që opozita të jetë dakord me çdo gjë që bëni ju. Çfarë shqetësimi ju sjell ju që i gjithë projektligji që është një paketë të shqyrtohet me 16 prill?! Me çdo gjë që propozon opozita ju direkt votoni me karton të kuq.

Ju keni edhe mungesën normale të etikës, që edhe një javë pasi keni votuar për ta rrëzuar, ia jepni një deputeti tjetër të mazhorancës ta propozojë dhe votoni të njëjtin propozim dy javë më vonë.

Ju opozitën e trajtoni me urrejtjen më të madhe e jo si kundërshtar politik”, tha Bardhi.

Gjithashtu, edhe deputeti tjetër i PD-së Eno Bozdo reagoi i revoltuar. Bozdo tha se Shqipëria sot nuk ka asnjë rezervë dhe se qytetarët sot blejnë naftën më shtrenjtë se gjithë vendet e rajonit, krahasuar me Kosovën dhe Maqedoninë. 

“Shqipëria nuk zotëron asnjë gramë naftë rezervë të sigurisë strategjike; kryeministri pretendon të kundërtën. Jemi ndoshta i vetmi vend që s’kemi një rezervë të tillë, edhe pse legjislacioni e ka me detyrim. Qeveria nuk e ka vënë ujin në zjarr dhe kjo ndodh gjithmonë. Në këtë pikë, lutemi që kriza mos të thellohet dhe mos të marrë ndonjë urdhër për lirimin e rezervave të naftës, që dihet të jenë 90 ditë, ndërsa sot janë 0 ditë. Të gjitha vendet e tjera të rajonit i kanë këto rezerva.”, tha Bozdo.

Kërkesa e PD:

Me shkresën nr. 1206 Prot., datë 19.03.2026, Grupi Parlamentar i PD, përmes Nënkryetarit të Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, deputetit Enno Bozdo, ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë për shqyrtim dhe miratim projektligjin “Për mekanizimin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe cmimeve të lëndëve djegëse”. Shqipëria renditet ndër vendet me cmimin më të lartë të karburantit në Evropë dhe Botë, ndonëse renditemi në vendet e fundit të listës përsa i përket nivelit të të ardhurave të pergjitshme dhe për frymë. Një prej arsyeve kryesore të cmimit tejet të lartë të karburanteve, është pikërisht edhe niveli i lartë i taksës së qarkullimit, e cila pasi ngarkohet edhe me normën e TVSH-së, përbën një peshë të konsiderueshme të cmimit final të litrit të karburantit.

Qëllimi i projektligjit “Për mekanizimin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe cmimeve të lëndëve djegëse” është krijimi i një kuadri të posaçëm ligjor për menaxhimin efektiv të krizave në sektorin e hidrokarbureve, të shkaktuara nga zhvillimet gjeopolitike ndërkombëtare, veçanërisht nga konfliktet në Lindjen e Mesme. Në kushtet e rritjes së pasigurisë në tregjet globale të energjisë dhe luhatjeve të forta të çmimeve të lëndëve djegëse, projektakti synon të pajisë Republikën e Shqipërisë me instrumente ligjore dhe institucionale për të garantuar sigurinë e furnizimit, stabilitetin e çmimeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve dhe ekonomisë kombëtare.

Ai synon të adresojë mungesën aktuale të një mekanizmi të integruar reagimi ndaj krizave energjetike, duke vendosur procedura të qarta për shpalljen e gjendjes së krizës në sektorin e hidrokarbureve dhe për aktivizimin e menjëhershëm të masave përkatëse. Në këtë mënyrë, krijohet mundësia për një reagim të shpejtë, të koordinuar dhe proporcional ndaj situatave emergjente që ndikojnë në furnizimin dhe çmimet e karburanteve. Ky projektligj ka natyrë urgjente dhe synon mbrojtjen e interesit publik. Për këtë arsye, në mbështetje të nenit 83, pika 2 të Kushtetutës dhe nenit 28 të Rregullores së Kuvendit, KËRKOJMË: Shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të: 1. Projektligjit “Për mekanizimin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe cmimeve të lëndëve djegëse”.

Duke mbajtur në konsideratë pikën 5 të nenit 28 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë që: 1. Projektligji “Për mekanizimin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe cmimeve të lëndëve djegëse”, të përfshihet në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit për periudhën 13 Prill 2026 – 30 Prill 2026. Shqyrtimi dhe miratimi i tij të bëhet në seancën plenare të datës 16 Prill 2026. Ndërkohë që Komisionet Parlamentare të përfundojnë shqyrtimin dhe miratimin e tij brenda datës 14 Prill 2026. Me shpresën se secili deputet i Kuvendit të Shqipërisë bashkëndanë shqetësimin tonë për rritjen e papërballueshme të cmimit të karburanteve për cdo qytetarë shqiptarë, me pasoja edhe në rritjen e produkteve të tjera jetësore, kërkojmë miratimin e kësaj kërkese.

Poll



Source link

Scroll to Top