TIRANË- Deputeti socialist, Erion Braçe, mbajti një interpelancë me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla, lidhur me situatën e prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të qumështit në vend. Nga foltorja e Kuvendit, Braçe deklaroi se kishte një fushatë deizinformimi, sipas tij, në javën e dytë të muajit janar për qumështin e fermerëve që ishte me aflatoksinë.
Gjatë interpelancës, Braçe lexoi edhe disa prej mesazhve nga grupe bujqish, që ankoheshin se kompanitë e qumështit po refuzonin qumështin e tyre. Mes tyre, mesazhet e blegtoreve të Bubullimës, të cilët ankohen se kompania LUFRA po i shkatërron dhe se nuk u merr prodhimin e qumështit.
”Një grup nga Bubullima shprehu shqetësimin se kompanitë po shkatërronin qumështin e tyre me pretendimin se ishte me aflatoksinë. Një tjetër mesazh nga Bubullima e Lushnjës kërkonte ndihmë për qumështin, pasi kompanitë nuk e pranonin. Një tjetër blegtor tha se qumështi pluhur merret më lirë nga kompanitë, ndaj ata nuk preferonin qumështin e fshatarëve. Po ashtu, disa blegtorë raportuan se kompanitë u bënë agresive dhe nuk merrnin pikë qumështi”, tha Braçe.
Por, pavarësisht denoncimeve, sipas Braçes, Lufra është bërë më agresive ndaj banorëve duke u refuzuar marrjen e qumështit të prodhuar.
Mesazhet që lexoi Braçe:
Mesazhi: Në janar një fushatë e tërë lajmëroi se lopët po prodhonin qumësht kancerogjen. U vura me dije nga një grup bujqish në Lushnjë, kërkonin ndihmë kudo. Mesazhet ishin zoti Braçe si jeni, jemi fermerë nga Bubullimës. Kompania e qumështit LUFRA po na shkatërron. Deri dje kishte skemë që gjoja i hedhim qumështit ujë. Çmimin e kishin ulur fare. Por tani kanë nxjerrë gjoja me aflatoksinë qumështin tonë. Duan të na përzënë fare. Ku të vemi, ku t’i çojmë lopët. Ku të mbyten?
Mesazhi tjetër: Jam nga Bubullima. Na ndihmo me qumështin e fshatarëve që e dorëzojmë te Lufra. Për fshatin e vetmja shpresë janë lopët. Të kam ndjekur. Po derdhim shumë qumësht në kanal, që për popullin janë gjaku i derdhur. Mesazhi i tretë: Lufra këto ditë ka lënë kudo radhë, psh, ose qumështin e mëngjesit ose të mbrëmjes. Besoj se do e kenë thënë të tjerë, pronarja e thotë hapur që e merr më lirë pluhurin se qumështin vendas dhe njerëzit hedhin misër.
Mesazhi tjetër: zoti Erjon na fal për shqetësimin, por jam një qytetar nga Bubullima, Lufra është bërë më agresive nga ajo që ti bëre problem me statusin tënd. Sot hakmerret me ne, s’na mori pikë qumështi dhe na la në shtëpi. Fill pas këtyre mesazheve i jam drejtuar institucioneve shtetërore”, thekson Braçe.
Në janar të këtij viti, Braçe ngritri alarmin për një krizë të re në sektorin e blegtorisë, duke deklaruar se fermerët po përballen me pamundësinë për të shitur qumështin e tyre. Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Braçe bëri publik disa mesazhe denoncuese të qytetarëve, sipas të cilëve, ‘Lufra’ po kërkon t’i përzërë./ZËRI




