TIRANË-Platforma elektronike e-Albania është hapur sërish, pas ndërprerjes së shërbimit prej datës 15 maj. Lajmi është bërë me dije nga kryeministri Edi Rama i cili e konsideron këtë platformë si një hap të ri në transformimin digjital të shërbimeve publike në vend. Rama shprehet se verisoni i përditësuar e-Albania 2.0, është një hap i ri në transformimin digjital dhe në shërbimet publike për qytetarët. Kreu i qeverisë shton se kjo platformë sjell përdorim më të lehtë edhe për personat me aftësi ndryshe, në funksion të një shërbimi digjital pa barriera.
Edi Rama: Një hap i ri në transformimin digjital të shërbimeve publike në Shqipëri! Platforma e re vjen e ridizenjuar mbi një infrastrukturë tërësisht të modernizuar, për të ofruar një eksperiencë më të shpejtë për qytetarët dhe bizneset. E ndërtuar me teknologji të avancuara dhe standarde moderne të performancës, e-Albania 2.0, platforma sjell një nivel të ri aksesueshmërie dhe gjithëpërfshirjeje, duke mundësuar përdorim më të lehtë edhe për personat me aftësi të kufizuara, në funksion të një shërbimi publik digjital pa barriera dhe të barabartë për të gjithë.




