TIRANË-Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe me një postim të radhës në rrjete sociale ka ngritur si problematikë rrugët e ngushta të lagjeve në Tiranë si dhe bllokimin e tyre me automjetet e parkuara. Braçe ka ndarë pamje nga zona e njohur si “Libri Universitar” ku thotë se nëse bie një zjarr, zjarrfikësja e ka të pamundur të kalojë.
“Jam këtu tek “Libri Universitar”, këto janë lagjet kurth të qendrës së Tiranës. Nëse larg qoftë bie zjarr, zjarrfikësja nuk hyn dot në asnjë anë, as nga këtej ku hyra unë. Këto makinat e braktisura prapë. As nga kjo anë tjetër këtej, që me thënë të drejtën nuk ke rrugë sepse bllokohet, është aq e ngushtë sa nuk hyn dot asgjëkundi. Domethënë, gjëja më e rëndësishme në këtë rast është të lutemi që të mos bjerë zjarr. Njerëzit e pallatit të bëjnë kujdes. Urdhëro, nuk ke ku hyn, pastër është, por për zjarrin është tmerr. Do piqen të gjallë kështu siç janë bllokuar hapësirat dhe rrugët. Duhet të vijë dikush t’i heqë këto makina që janë për në varreza”, u shpreh socialisti Erion Braçe.



