FIER- Mazhoranca dhe opozita vijojnë diskutimet për reformën territoriale, këtë herë duke zhvilluar konsultime publike në qytetin e Fierit.
Kryetari socialist i Reformës Territoriale, Arbian Mazniku, ishte i pari që mori fjalën, duke prezantuar qëndrimet e mazhorancës mbi procesin. Sipas Maznikut, një numër i vogël bashkish me kompetenca të forta do të ishte një zgjidhje që pushteti vendor të kishte një rol më aktiv në problemet e qytetarëve.
“Shpesh herë kur themi raporti i qytetarit me shtetin, në fakt pjesa më e madhe e asaj që shumica e njerëzve të thjeshtë mendojnë kur flasin për ndërveprim me shtetin, po ta thyesh të bësh një listë, kupton që pjesa më e madhe është ndërveprimi i tyre me bashkinë e qytetit ku banojnë. Sepse pushteti vendor është i lidhur ngushtësisht me një mori gjërash të përditshmërisë së jetës së njerëzve. Ndaj tërësia e jetës sonë është e lidhur me mënyrën si funksionojnë bashkitë. Prandaj një reformë e tillë prek jetën e njerëzve. Sfida kryesore mbetet eficenca e funksioneve dhe mundësia reale e bashkive për të ofruar shërbime cilësore e të qëndrueshme. Si e kanë mundësinë bashkitë për të ofruar këto shërbime, a kanë mjaftueshëm të ardhura? A kanë mjaftueshëm njerëz? A ja dalin dot të gjitha bashkitë për t’i ofruar shërbim qytetarëve? Ne kemi një seri bashkishë që janë zhvilluar shumë. Por kemi disa bashki që e bëjnë këtë punë më pak mirë. Të gjitha këto na krijojnë një kuadër të nevojës për të bërë një reformë të re. Qoftë kjo nga ana e kompetencave, çfarë kompetencash duhet të kenë bashkitë? A duhet t’i kenë më të qarta? A duhet të kenë më shumë? Në cilin territor duhet të qeverisin bashkitë?”, tha Mazniku.
Menjëherë më pas, foli bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Territoriale nga PD, Luçiano Boçi, i cili vlerësoi reformën territoriale të vitit 2014 si të dështuar. Boçi theksoi nevojën për një reformë që i shërben qytetarëve dhe nuk i largon ata nga vendi.
“Reforma territoriale e vitit 2014 ishte e dështuar. Kjo shihet qartë. Sot ishte një raportim, që lindshmëria është ulur tej mase. Kjo vjen edhe për shkak të ndarjes territoriale. Kjo sepse zonat rurale janë duke u boshatisur. Qytetarët duan që të riformatojnë territorin. Ka tension në territor, sepse janë hedhur ide, që bllokojnë shumë zhvillime.
Bashkitë e mëdha janë rritur, por se kanë humbur qytetarin dhe kanë sfumuar demokracinë vendore. Pushteti lokal nuk është një magazinë votash për pushtetin qendror. Pushteti qendror ka ndërhyrë tek pushteti vendor, kur absolutisht nuk duhet që të ndodhë. Qytetarët duhet të kenë një pushtet lokal, që iu shërben atyre, të jetojnë aty dhe të mos largohen”, tha Boçi.
Reforma territoriale mbetet një çështje kyçe për organizimin administrativ të vendit dhe për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Kompromiset mes partive në tavolinë, do të vendosin formën përfundimtare të ndarjes së bashkive./ZËRI



