U përjashtua nga gara, Sela padi në Gjykatë: Të shpallet i pavlefshëm kandidimi i Berishës


U përjashtua nga gara, Sela padi në Gjykatë: Të shpallet i

Mereme Sela dhe Sali Berisha

TIRANË-Pas përjashtimit nga gara për kreun e Partisë Demokratike, Mereme Sela ka ngritur një padi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Sela ka paditur Partinë Demokratike me argumentin se u përjashtua nga gara me një vendim të paarsyetuar, të pamotivuar dhe në mungesë transparence procedurale. Komisioni Zgjedhor në PD argumentoi se Sela nuk u kualifikua si kandidate pasi nuk plotësonte kriteret e të qenit një “figurë me profil shumë të lartë publik dhe politik” dhe i mungon “eksperienca drejtuese elektorale në nivel kombëtar apo rajonal”.

Në padi thuhet se organet e partisë kanë lejuar kandidimin e Sali Berishës, në kundërshtim flagrant me ndalimin e parashikuar në statut, pasi neni “Basha” (neni 46) sanksionon se kryetari që humb zgjedhjet duhet të largohet nga drejtimi i partisë. Sela kërkon që kandidimi i ish-kryeministrit Sali Berisha të shpallet i pavlefshëm.

Mereme Sela i është drejtuar gjykatës me 5 kërkesa:

1. Shpallja e pavlefshme absolute e vendimit për skualifikimin e paditëses nga gara për Kryetar të PDSH-së;

2. Detyrimi i palës së paditur për rikthimin e paditëses në garë;

3. Shpallja e pavlefshme absolute e kandidimit të Sali Berisha;

4. Konstatimi i shkeljes së rëndë të statutit dhe parimeve të demokracisë së brendshme;

5. Vendosja e masës së sigurimit të padisë: pezullimi i menjëhershëm i procesit zgjedhor të datës 23.05.2026 deri në përfundim të gjykimit.

Mesnatën e 30 prillit skadoi afati për dorëzimin e kandidaturave për postin e kryetarit të Partisë Demokratike. Ish-kryeministri Sali Berisha do të jetë i vetëm në garën për kreun e Partisë Demokratike, pasi Komisioni Zgjedhor në PD ka skualifikuar nga gara mjeken Mereme Sela si dhe kandidatin tjetër Vladimir Mulaj. Në vendim thuhet se Sela dhe Mulaj, nuk janë kualifikuar si kandidatë pasi nuk plotësonin kriteret. Ndërkohë kandidaturat e ish-deputetit Ervin Salianji, aktivistes Evi Kokolari dhe Alesia Balliut u refuzuan./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top