Ulje taksash për karburantet? Komisioni i Ligjeve jep “dritën jeshile”: miraton uljen e akcizës me 20%


Ulje taksash për karburantet? Komisioni i Ligjeve jep "dritën

andi mehmeti

TIRANË- Komisioni i Ligjeve miratoi aktin normativ për uljen e akcizës me 20%, me 8 vota pro të mazhorancës dhe 3 kundër të opozitës. Zv.ministri i Financave, Andi Mehmeti, deklaroi se masa synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbajtjen nën kontroll të çmimeve të naftës dhe benzinës. Sipas tij, ulja e akcizës me 20% sjell një reduktim të taksave prej rreth 9.5% për litër.

“Për të mbrojtur konsumatorët dhe për të mbajtur në kontroll cmimet e shitjeve të gazoil dhe benzinës është propozuar që niveli i akcizës të ulet me 20% përgjatë kohëzgjatjes së periudhës së veçantë. Në total ulja e taksave për një litër është 9.5% pasi kur ulet akciza ulet edhe TVSH-ja e aplikuar. Për naftën akciza ulet kur kalon mbi 220 lekë litri, për benzinën kur kalon 200 lekë/litri”, tha zv.ministri i Financave.

Mehmeti sqaroi se tavani i çmimeve është tejkaluar vetëm dy herë, 3-8 prill, duke shtuar se efekti pozitiv ishte rritja e të ardhurave me 553 milionë lekë në buxhet.

“Tavani është tejkaluar vetëm 2 herë në datat 3 -8 prill dhe që është aplikuar edhe ulja e akcizës për naftën. Efekti pozitiv është 553 milionë lekë të ardhura shtesë, por ka pasur edhe rritje të sasisë së importuar në konsum me rreth 2 mijë tonë, ose 3% më shumë se në mars të 2025. Gjithsesi efekti pozitiv i çmimeve në të ardhura është 553 milionë lekë. Ndërsa efekti negativ për periudhën 1-24 prill nga akciza është vetëm 37 milionë lekë për këtë periudhë, nga ulja në 20%”, tha Mehmeti.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, njoftoi në podcastin e tij të 3 prillit se, akti normativ për uljen me 20% të akcizës për naftën hyn në fuqi menjëherë sapo çmimi i naftës të kalojë 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër. Ai shtoi se masa do të qëndrojë në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top