Siguria ushqimore, Rama: Sfida drejt BE-së, produktet në Shqipëri do të përmbushin standardet europiane


Siguria ushqimore, Rama: Sfida drejt BE-së, produktet në Shqipëri

edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama deklaroi se siguria ushqimore dhe përafrimi me standardet e Bashkimi Europian mbeten ndër prioritetet kryesore të qeverisë. Në podkastin e tij të së dielës, Flasim, Rama theksoi domosdoshmërinë që produktet ushqimore në Shqipëri të garantojnë siguri për konsumatorët vendas.

Por, jo vetëm kaq. Sipas Ramës, njëkohësisht duhet të plotësojnë kërkesat e tregut europian, ku vendi synon të integrohet.

“Një sfidë aktuale më të ndërlikuar të procesit tonë të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, theksoi Rama, teksa shtoi se integrimi europian nuk duhet parë si një listë detyrash formale, por si ndërtim i një sistemi funksional që garanton cilësi, besim dhe zbatim real të standardeve në praktikë.

“Në fokus të kësaj jave ka qenë ajo që do të jetë në fokus të të gjitha javëve më pas, në një mënyrë a një tjetër, siguria ushqimore dhe përafrimi me standardet e Bashkimit Europian. Në një takim të organizuar me operatorët e sipërmarrjes ushqimore, ne u ndalëm në një temë shumë konkrete.

Si do të garantojmë që çdo produkt që konsumojnë qytetarët, jo thjesht të jetë i sigurt, por të jetë një produkt i pranuar dhe i suksesshëm në tregun e nesërm të përbashkët të Europës, ku ne do të jemi anëtarë me të drejta, por edhe me detyrime të barabarta.

Dhe kjo lidhet me një sfidë aktuale më të ndërlikuar të procesit tonë të anëtarësimit në Bashkimin Europian, që është sigurimi i të nesërmes për të gjithë ata, të cilët kanë ndërtuar të sotmen mbi themelet e një pike grumbullimi, përpunimi apo prodhimi të nënprodukteve ushqimore, që do të thotë që nga gjëja e gjallë deri te produktet e paketuara.

Një proces që shpesh keqkuptohet si një listë detyrash që duhen përmbushur për të tjerët, ndërkohë që në thelb është diçka që lidhet drejtpërdrejt, jo thjesht vetëm me shëndetin e shqiptarëve këtu në Shqipëri, e konsumatorëve këtu në Shqipëri, por edhe me misionin tonë të përbashkët kombëtar të Shqipërisë në Bashkimin Europian në vitin 2030. Nuk është një çështje rregullash në letër, është një çështje e ndërtimit bashkërisht të një sistemi funksional prodhimi, kontrolli, cilësie dhe besimi në çdo hallkë.

Në këtë fazë, Shqipëria nuk bën vetëm harmonizimin ligjor me Bashkimin Europian, por edhe duhet të sigurojë zbatimin konkret të ligjeve në realitetin e përditshëm. E prandaj, ne po ndërveprojmë dhe do të ndërveprojmë gjithmonë e më aktivisht me sipërmarrësit dhe sipërmarrjet në bujqësi, sipërmarrësit dhe sipërmarrjet që kanë të bëjnë me produktet shtazore dhe nënproduktet e tyre, sipërmarrësit dhe sipërmarrëset që kanë të bëjnë me gjithçka që sot del nga toka e Shqipërisë, falë punës dhe duarve të tyre të arta.”, tha ai./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top