“Hante dreka e darka me Gys Agasin”, Berisha-Salianji, “luftë” pa filtra: Dil dhe fol për Ermal Beqirin


"Hante dreka e darka me Gys Agasin", Berisha-Salianji,

Sali Berisha dhe Ervin Salianji

TIRANË- Përplasjet nga distanca mes Sali Berishës dhe Ervin Salianjit vijojnë dhe bëhen akoma më të forta. Ditën e sotme, kreu i opozitës, në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, ka folur për ish-deputetin demokrat, ndaj të cilit ka hedhur akuza të rënda.

Berisha tha se Salianji fillimisht mbështeti aksionin opozitar dhe ishte pjesë e strukturave drejtuese të PD-së pas lirimit nga burgu, por më pas “doli veçmas” dhe ndërmori veprime të pavarura që, sipas tij, nuk përputhen me qëndrimet e partisë.

Por nuk është ndalur me kaq! Berisha ka deklaruar se Ervin Salianji ka zhvilluar gjatë verës takime, dreka dhe darka me Ergys Agasin, të cilin ai e ka akuzuar më herët si të lidhur me rrjete të trafikut të drogës. Po ashtu, ai e ka akuzuar se takimet në Elbasan i ka organizuar me Suel Çelën dhe se aktualisht “ka mentor” Taulant Ballën.

“Së dyti, të garantoj se në qoftë se unë vendosa të lë mënjanë dorëheqjen time pa revokim, e bëra në mënyrë absolute vetëm për një gjë dhe për asnjë motiv tjetër. Dhe kjo ishte sepse unë kuptova dhe pashë, faktova se ish-kryetari i kësaj partie kontrollohej totalisht nga Edi Rama.

Në këto kushte, unë vendosa të rikthehem. Kontrollohej edhe nga të tjerë, pa diskutim. Nuk mund të pranoja kurrë që një parti sovrane, parti kombëtare, parti e interesit kombëtar, të ishte false opozitë, fake opozitë. Fake opozitë. Nuk mund të pranoja kurrë që kjo parti të ishte një kukull, një fasadë e Edi Ramës.

Ervin Salianji nuk po merrem këtu me drekat dhe darkat me Oltion Bistrin në burg dhe Pëllumb Gjokën, sepse janë banorë burgu, ishin dhe janë. Për mua ai ka qenë i burgosur politik. Por të vërtetat janë këto që po them unë.

Një javë para se të dilte nga burgu, më thotë: kam ardhur të marr një këshillë. Urdhëro, i them unë. Çfarë më thua, sepse për të më liruar këta tre muaj që më kanë mbetur, më takojnë sipas ligjit, por gjykatësi më kërkon një deklaratë ku të them se nuk do të vras Fatmir Xhafën. Po ç’punë ke ti me këtë? E kanë në rregull ata, i thashë unë.

Ti, Ervin, nuk duhet të bësh një deklaratë të tillë. Sipas mendimit tim, nuk duhet ta bësh, sepse merr përsipër fajësinë. Për ne je i burgosur politik. Ne kemi arritur edhe në dokumente ndërkombëtare të të cilësojmë si të burgosur politik. Dhe karriera është e gjatë. Mirë, tha. Iku, pas një jave erdhi. Më liruan, u lirova mirë. Çfarë bëre me të? Jo, nuk ma kërkuan më. Tani e kuptove vetë, se ja kërkuan, s’ja kërkuan më. Për ta nderuar, e kooptuam në kryesi të partisë. Gjatë të gjitha mbledhjeve të kryesisë, ai nuk ka shtruar absolutisht asnjë problem. Pasi u publikua raporti, unë bëra mbledhjen e kryesisë dhe u thashë anëtarëve se duhet të kalojmë në aksion dhe ai e mbështeti plotësisht këtë qëndrim.

E thirra një ditë më pas dhe i thashë: çfarë mendimi ke? Tha: jam dakord. U thashë të fillojmë protesta, dhe ishte dakord. Por më pas doli veçmas, mashtroi një grup njerëzish dhe zhvilloi takime miqësore, por u kuptua se qëllimi ishte i paqartë.

Çfarë bëri? Verën e kaloi me Ergys Agasin në dreka dhe darka. Në një kohë kur unë e kisha sulmuar Ergys Agasin si koordinator të karteleve të drogës. Shkoi në Durrës dhe mblodhi eksponentë të Partisë Demokratike që, sipas meje, tradhtuan partinë duke mos punuar në fushatë ose duke punuar për Partinë Socialiste. Në Elbasan, sallën ia mbushi Suel Çela. Këtu je i përjashtuar, i thashë. Kjo është vijë e kuqe. Krimi nuk mund ta marrë kurrë këtë parti. Po më duhet të them, se edhe ky përsëriti fatin e Lul Bravës. A mund ta imagjinosh që ka përsëri mentor Taulant Ballën? Vazhdon të darkojë me Taulant Ballën, njësoj.”- tha Berisha.

Ndërsa Salianji reagoi publikisht në Facebook. Në një postim të gjatë, ish-deputeti ka akuzuar Berishën për uzurpim të partisë dhe shmangie nga gara e brendshme. Ai tha se nuk është pjesë e “pazareve politike” dhe se ka qenë gjithmonë përballë pushtetit, jo në shërbim të tij. Sipas tij, problemi i opozitës është mungesa e besimit te lidershipi dhe jo zërat ndryshe brenda saj.

Salianji gjithashtu akuzoi publikisht Sali Berishën se po bashkëpunon ngushtë me Edi Ramën për reforma, leje, licenca, koncesione dhe përfitime. Ai përmendi gjithashtu Ermal Beqirin, duke pretenduar se familja e Berishës ka përfituar favore prej tij.

Postimi i Plotë:

Përgjigje Sali kolltukut; 36 vite në pushtet në kurriz të demokratëve i kanë krijuar mendësinë që kushdo ka detyrim të jetë skllav i tij. Nuk ka asgjë më të vjetër në politikë sesa kur dikush që ka humbur lidhjen me realitetin përpiqet të shpikë armiq për të fshehur frikën nga gara. Të më krahasosh me këdo tjetër është mënyra më e lehtë për të shmangur thelbin: sot problemi nuk janë demokratët që duan fitore, por fakti që një pjesë e lidershipit ka humbur besimin e njerëzve dhe po i trembet çdo zëri ndryshe.

Unë nuk kam përfunduar në “krahët” e askujt. Isha dhe jam i lirë, siç edhe sot po them atë që të gjithë mendojnë: e përbuzin Sali kolltukun për uzurpimin që i ka bërë Partisë Demokratike, por e shajnë me rrënjë e degë vetëm në tavolina. Nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë pjesë e pazareve. Kam qenë përballë pushtetit, jo në shërbim të tij. Dhe për këtë kam paguar çmim personal. Ata që sot flasin për “fate” të të tjerëve duhet të shohin fatin e tyre politik: një lidership që nuk frymëzon më, që nuk fiton më dhe që i shmanget çdo përballjeje reale.

Kur nuk ke përgjigje për dështimin, shpik histori. Kur nuk ke mbështetje, sulmon këdo që ngrihet.

Të kuptoj që unë jam problemi yt, sepse me Ramën je ulur këmbëkryq për reforma, je ulur për leje, licenca, koncesione, përfitime. Dil e fol për Ermal Beqirin, për lejet e familjarëve të tu në Lalëz, në gjysmën e Tiranës, në jug e kudo në Shqipëri. Sa për gysrat, pyet fare afër teje si i kanë ndarë pazaret, përfshirë edhe ndërhyrjen te gjykata për dënimin tim. Për Olti Gjoken që përmend, t’i themi disa gjëra: kur erdhe në burg, nuk erdhe të më takoje mua, por kërkove të takoje këta. Nuk është faji im që edhe këta i kishe gënjyer dhe nuk të dolën në takim.

Lulzim Bashën e solle e mbajte dhe ta fali partinë. Me mua i ke bërë hesapet gabim: do të çmontoj ty dhe autokratin e qeverisë. Regjimi Rama-Berisha është i përbuzur nga shqiptarët! Dhe meqë ke mbështetje, dil në garë, mos u fshih si frikacak.

/ZËRI

 

Poll



Source link

Scroll to Top