Takimi me Mitsotakis, Rama: Bëmë një bilanc…brenda vitit i japim përgjigje të gjitha çështjeve të mbartura Shqipëri-Greqi


Takimi me Mitsotakis, Rama: Bëmë një bilanc...brenda vitit i

edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, në podkastin e tij “Flasim”, bëri një përmbledhje të zhvillimeve kryesore të javës, duke u ndalur veçanërisht te vizita në Greqi, ku mori pjesë në Forumi Ekonomik i Delfit. Rama theksoi rëndësinë e përfaqësimit të Shqipërisë në një forum me peshë ndërkombëtare, ku diskutohen drejtimet kryesore të zhvillimit global, por edhe të atij rajonal dhe të marrëdhënies me vendin fqinj.

Gjatë qëndrimit në Athinë, ai zhvilloi edhe një takim me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, të cilin e cilësoi si një “mik të vyer të Shqipërisë”. Sipas Ramës, palët kanë bërë një bilanc të punës së grupit të përbashkët, të ngritur për të adresuar çështjet e mbartura mes dy vendeve. Madje, sipas Ramës, brenda vitit do të konfirmojnë përmes një dokumenti të ri të Partneritetit Strategjik, bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Ndalimi në Athinë ishte i një natyre tjetër, por i lidhur me pozicionin e Shqipërisë dhe dëshirën për ta parë Shqipërinë të përfaqësuar në nivelin më të lartë dhe për të dëgjuar qëndrimet dhe opinionet tona, posaçërisht në këtë rast, në një forum ekonomik me reputacion dhe prestigj ndërkombëtar, ku për shkak të fqinjësisë dhe historisë, Shqipëria kishte një vend të posaçëm në atë platformë, ku diskutohen drejtimet kryesore të zhvillimit global, por edhe të atij rajonal, por edhe të marrëdhënies me vendin fqinj. Shkova të marrë pjesë në forum, por pata kënaqësinë të pritesha nga kryeministri i Greqisë Mitsotakis, një mik i vyer i Shqipërisë, me të cilin bëmë një bilanc të ecurisë së punës së grupit të përbashkët që kemi ngritur, për t’i dhënë njëherë e mirë përgjigje të gjitha çështjeve të mbartura dhe për ta çuar në një nivel të ri marrëdhënien ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Greqisë. Më vjen shumë mirë të them se nga ana e Mitsotakis ka një vullnet absolut për të bërë adresimin e të gjitha çështjeve të mbartura dhe për të konfirmuar brenda këtij viti përmes një dokumenti të ri të Partneritetit Strategjik, natyrën shumë speciale të marrëdhënies mes dy vendeve dhe nga ana tjetër për ta mbështetur Shqipërinë gjithmonë në rrugën drejt BE. Jam besimplotë se do të arrijmë të adresojmë çështjet e mbartura dhe do të forcojmë edhe më shumë marrëdhënien tonë përmes një kujdesi të posaçëm, qoftë për minoritetin grek në Shqipëri dhe qoftë për shqiptarët në Greqi”, tha mes të tjerash Rama.

Poll



Source link

Scroll to Top