GREQI-Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij ditën e sotme në Forumin Ekonomik të Delfit. Rama u pyet nga gazetari grek i Kathimerinit, Aleksis Papahelas për rastin e Fredi Belerit i dënuar për manipulim votash, se a ndikoi në prishjen e marrëdhënieve me Greqinë. Rama pranoi se situata krijoi vështirësi, ndërsa theksoi se raste të kësaj natyre nuk duhet të ndikojnë në marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-Greqi. Kreu i qeverisë deklaroi se ambicia e përbashkët është që deri në fund të vitit të zgjidhen të gjitha çështjet mes dy vendeve.
Edi Rama: Pse duhet t’i kthehemi? Është i lumtur, është europarlamentar, çdo gjë përfundoi në të tillë mënyrë sa çdo kryetar bashkie në paraburgim do ta kishte ëndërr! Sot kam provë, se në atë kohë dukej si rast unik dhe jam përpjekur të shpjegoj se është diçka që ka të bëjë me një model në vendin tonë pas reformës në drejtësi ku ndalimi në paraburgim po bëhet problem. Kam provë tashmë që kjo nuk është diçka që ka prekur një grek etnik, por shumë njerëz. Çështja Beleri krijoi disa vështirësi në marrëdhënien tonë, nuk ka dyshim, por kemi qenë gjithmonë respektues dhe të hapur me njëri-tjetrin, pa bërë teatër. Unë e respektoj shumë për këtë. Vendosëm kohë më parë që nuk duhet t’i lëmë vendeet tona të përpihen nga këto lloj zënkash. Ne duhet që njëherë e mirë të zgjidhim të gjitha çështjet që ka midis nesh. Ambicia jonë është të përfundojë brenda këtij viti dhe vjeshtën e ardhshme të përfundojnë të gjitha çështjet. Kemi një aset të madh për ne, pakica greke dhe diçka që është aset për ju, shqiptarët që jetojnë këtu dhe janë të integruar.



