Kompania Cybee.ai një startup zviceran me seli në Kosovë është shpallur fituese në edicionin e Berlinit të garës globale “The Pitch by Deel”, ku në mesin e më shumë se 35 mijë kompanive, është përzgjedhur dhe ka hyrë në listën Top 100, duke kaluar në fazën finale të konkursit më të madh në botë për startups.

Gara ndërkombëtare “The Pitch by Deel” u zhvillua në disa nga qendrat kryesore të ekosistemit global të biznesit, përfshirë Berlinin, Parisin, Londrën, New York-un, Tel Avivin, Singaporin dhe Dubain.


Në këtë edicion, startup-et më të mira nga secili rajon u prezantuan live përpara jurive investuese dhe ekspertëve të industrisë, ku u bë përzgjidhja e fituesëve rajonal.

Cybee.ai u përzgjodh në mesin e 35 mijë kompanive pjesëmarrëse, duke hyrë në 0.29% e më të mirëve në nivel global, në një ceremoni ku çmimin e pranoi Kristian Kabashi.

Në total, rreth 100 startup-e nga finalet rajonale nga e gjithë bota kalojnë në fazën finale e cila do të mbahet në Dubai më 18 maj 2026 dhe garojnë për titullin global, me vlerë investimi prej 1 milion dollarësh.

Cybee.ai futet në Top 100 startup-et më të mira në botë – finalja globale në Dubai

Cybee.ai është një startup zviceran i themeluar nga Hekuran Doli dhe Kristian Kabashi, me selinë e saj në Kosovë, e që si platformë synon sigurinë kibernetike dhe compliance-in për SME-të dhe startup-et, duke ofruar mjete për mbrojtjen dhe menaxhimin e të dhënave, trajtimin e sulmeve kibernetike dhe verifikimin e besueshmërisë digjitale në tregjet online.

Me këtë sukses në Berlin, kompania vazhdon rrugëtimin në fazën globale të garës, me synimin për të hyrë në Top 10 startup-et më të mira në botë dhe për të garuar për çmimin kryesor.

“The pitch by deel” është program që synon të identifikojë dhe financojë gjeneratën e ardhshme të startup-eve, duke ofruar ekspozim ndërkombëtar dhe investim për kompanitë më premtuese.