TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me përfaqësues të agro-turizmit në Tiranë. Gjatë fjalës së tij Rama u ndal te programi “dyfisho ndërmarrjen tënde”, i cili do të jetë prioritet i qeverisë. Kreu i qeverisë deklaroi se do të jepen kredi me interes të ulët dhe do të ketë një limit prej 2 milionë eurosh. Rama sqaroi se ky program nuk vlen për kompanitë e mëdha, por për ata që kanë ndërrmarje të vogla dhe duan të rriten.
Edi Rama: Do të ketë interes të kredisë më të ulët se kreditë komerciale, dhe do të ketë një limit deri në 2 mln euro. Nuk do të aksesohet nga kompanitë e mëdha, por nga start up-er dhe ndërmarrjet e vogla ose të mesme, punishtet dhe patjetër nga agroturistët që duan të rriten. Kur flasim për rritje të agroturizmit nuk flas vetëm për masën e rritjes së volumit të ndërtimit, por është edhe zgjerimi i kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese jashtë kufijve të vet. Një agroturizëm mund të ketë një vresht diku, një baxho, punishte reçeli, jo domosdoshmërish në atë territor, dhe nëse e ka një të tillë dhe do ta ketë një të tillë kjo është plotësisht e mjaftueshme për t’iu qasur programit. Programi besoj se vjen në një kohë të duhur, kam pasur komunikime me themelues të ndërmarrjeve të vogla që prodhojnë, flasim për agropërpunum, prodhim dhe eksport.



