Paketa e Maleve/ Rama prezanton projektin e ri: “Porta e Alpeve”, 100 milionë euro për zhvillimin e turizmit në veri


Paketa e Maleve/ Rama prezanton projektin e ri: “Porta e Alpeve”,

Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama tha sot në podcastin “Flasim” se “Paketës së Maleve” do t’i shtohet një projekt i ri i quajtur “Porta e Alpeve”.

Sipas kryeministrit, ky projekt synon të lidhë më mirë zonat e veriut me njëra-tjetrën, si dhe me pjesën tjetër të vendit. Rama theksoi se projekti është i bashkëfinancuar nga Qeveria dhe Banka Evropiane e Investimeve, me një vlerë prej 100 milionë eurosh, dhe synon zhvillimin e mëtejshëm të turizmit malor në veri të Shqipërisë.

“Një shënim që besoj ia vlen, sepse në këto javë e muaj po flitet për Paketën e Maleve. Kur them po flitet, kam parasysh jo vetëm atë që themi ne për të informuar publikun dhe ata që e shikojnë Shqipërinë nga jashtë dhe duan të investojnë kursimet e tyre në tokën e të parëve apo në rindërtimin e shtëpive të vjetra në male, por edhe atë që thuhet nga shumëkush që, si gjithmonë, e deformon apo e devijon.

Por përmbajtja e këtij shënimi lidhet me atë që i shtohet Paketës së Maleve, projekti ‘Porta e Alpeve’, një ndërhyrje e drejtpërdrejtë me një investim masiv prej 100 milionë eurosh, i bashkëfinancuar me Bankën Evropiane të Investimeve, për zhvillimin e turizmit malor.

Ky projekt synon të lidhë më mirë zonat e veriut me njëra-tjetrën dhe me pjesën tjetër të vendit, duke krijuar akses të lehtë dhe të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit. Përfshihen përmirësime në infrastrukturën rrugore dhe transport, investime në ujësjellës dhe menaxhimin e ujërave të zeza, si dhe ndërhyrje në zhvillimin urban dhe restaurimin e trashëgimisë historike të zonës së veriut. Gjithashtu, projekti parashikon edhe mbrojtjen e natyrës dhe garantimin e zonave të paprekura me vlera të veçanta natyrore,” tha Rama.

Pak ditë më parë, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, njoftoi projektin e ri me një fond prej 100 milionë eurosh, i cili do të përdoret për një sërë investimesh në infrastrukturë dhe transport, me synimin për të krijuar një korridor mes Alpeve dhe Adriatikut.

/ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top