TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar zjarrin që ra pak ditë më parë në Pallatin “Arsil”, pranë Farmacisë 10 në kryeqytet.
Në podcastin “Flasim”, ai tha se godina do të rindërtohet plotësisht nga ndërtuesi. Rama gjithashtu njoftoi se banorët e prekur nga zjarri do të përfitojnë bonus qiraje dhe mbështetje nga Bashkia e Tiranës.
Kryeministri u ndal edhe akuzat për materialet e ndërtimit, teksa tha se gjithollogët dalin si “kërpudha pas shiut” në raste të tilla. Sipas Ramës kjo ishte një fatkeqësi e nisur nga një shëndijë zjarri dhe se materialet e ndërtimit ishin të gjitha të certifikuara.
“Gjatë kësaj jave pati një moment që, për hir të së vërtetës, fillimisht ishte rrënqethës, për shkak se flakët që përfshinë një pallat në Tiranë u duk se mund të kërcënonin seriozisht jetët e banorëve. Por, për fat të mirë dhe falë përpjekjes dhe punës profesionale e heroike të forcave zjarrfikëse, gjithçka kaloi pa asnjë jetë të humbur dhe pa të plagosur rëndë.Çfarë mbeti pas atij zjarri ishte shkrumbimi i godinës, për të cilën u vumë menjëherë në lëvizje. Gjëja e parë dhe më e rëndësishme, sipas meje, është që godina do të ndërtohet tërësisht nga e para nga vetë ndërtuesi i saj.
Nga ana tjetër, angazhimi është që banorët, deri në momentin kur do të kthehen në shtëpitë e tyre, besoj se nuk do të marrë shumë kohë, pasi karabinaja është aty, të përfitojnë bonus qiraje dhe, patjetër, edhe mbështetje nga bashkia për të lehtësuar barrën e dëmeve të shkaktuara.
Tani, gjithmonë në këto raste, shfaqen menjëherë, si kërpudhat pas shiut, lloj-lloj gjithologësh dhe lloj-lloj ekspertësh publikë, por pa licencat dhe pa njohuritë e nevojshme për të marrë një rol të tillë. Po gjithsesi, edhe për shkak të emocioneve, edhe për shkak të nevojës për të marrë protagonizëm, kush nuk del e çfarë nuk thotë. E vërteta është që kjo ishte një fatkeqësi e shkaktuar nga një shkëndijë, nga një nisje zjarri, po të doni, që nuk ka lidhje në vetvete me ndërtimin, por, nga ana tjetër, kjo është një arsye për të parë dhe për të kuptuar ashtu siç duhet edhe çka lidhet me cilësinë dhe me materialet e ndërtimit, edhe pse, nga verifikimi i parë që është bërë, ndërtimi kishte të gjitha materialet të certifikuara dhe vinin nga importi, kështu që nuk dua të zgjatem më shumë në këtë pikë. Më e rëndësishmja është që askush prej atyre banorëve që patën atë moment dramatik, që fatmirësisht dhe, përsëris, falë, në radhë të parë, forcave zjarrfikëse, por edhe forcave të rendit aty të pranishme, nuk u kthye në një moment tragjik, nuk do të lihet vetëm dhe nuk do të lihet në fatin e vet përballë nevojës për t’u rikthyer dhe për të jetuar normalisht në një banesë të veten, siç i takon, tërësisht të rindërtuar.”– tha Rama./ZËRI



