TIRANË- Aktivistja Evi Kokalari ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Hungari, ku opozita ka arritur një fitore historike ndaj kryeministrit Viktor Orban, i cili qëndronte në pushtet prej 16 vitesh. Kokalari thekson rastin e liderit opozitar Magyar Peter, i cili dikur ishte pjesë e partisë së tij, por u largua duke e akuzuar për korrupsion.
Këtë rast, aktivistja e lidh me situatën në Shqipëri dhe Partinë Demokratike, duke deklaruar se është distancuar nga Sali Berisha për shkak të, shqetësimeve për korrupsion, siç ajo thotë. Kokalari shpreh bindjen se vetëm ajo mund të fitojë kundër Sali Berishës dhe Edi Ramës, duke shtuar se ka denoncuar korrupsionin edhe ndaj figurave, që dikur i konsideronte miq në SHBA.
Në fund, aktivistja dërgon një mesazh të drejpërdrejtë për kryedemokratin Sali Berisha, duke i theksuar atij sipas saj, se as mbështetja financiare nuk mund t’i sigurojë ‘mbajtjen peng të PD-së’.
Postimi i plotë i Kokalarit:
Magyar Péter, i cili mundi Viktor Orbán sot në Hungari, dikur ishte pjesë e partisë së tij—derisa u largua dhe filloi të ekspozojë korrupsionin e regjimit.
Sot, edhe pasi Viktor Orbán mori mbështetje publike nga Donald Trump, JD Vance, madje edhe nga Izraeli, ai pësoi një humbje masive.
E njëjta gjë me mua: iu ktheva Sali Berisha për korrupsion, pasi premtoi ndryshime radikale për Partinë Demokratike të Shqipërisë—por në vend të kësaj, shiti zgjedhjet lokale dhe e mbylli partinë hermetikisht.
Ju garantoj: vetëm unë mund të fitoj kundër Sali Berisha dhe Edi Rama. Nuk kam kursyer askënd kur bëhet fjalë për ekspozimin e korrupsionit—përfshirë edhe ata që dikur i kam pasur miq në SHBA dhe me të cilët ende po përballem.
Mesazhi për Sali Berishën është i qartë: as 10 milionë dollarë nuk do të blejnë mbështetje për të vazhduar mbajtjen peng të PD-së, opozitës dhe, si rrjedhojë, të ndryshimeve radikale në Shqipëri.
Nëse Viktor Orbán—me gjithë fuqinë dhe mbështetjen e tij—humbi, ti nuk ke as 1/10000 e peshës apo forcës së tij.
Yours truly,
Më 16 mars të këtij viti, aktivistja Evi Kokalari i bëri thirrje kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, që të shtojë edhe emrin e saj për kandidaturën si kryetare. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kokalari shprehet se emri i saj figuron ende në gjykatë si një nga themelueset e rithemelimit, që u bë shkas për marrjen e PD-së nga Lulzim Basha.
Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike janë planifikuar të mbahen më 23 maj. Ndërkohë, më 6 qershor pritet të zhvillohet edhe Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, ku do të formalizohen strukturat drejtuese dhe vendimmarrjet e reja politike të kësaj force./ZËRI




