Skema e re për pensionet, Rama: Rritje graduale deri në 2030


Skema e re për pensionet, Rama: Rritje graduale deri në 2030

Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria ka stabilizuar një skemë të rritjes së përvitshme të pensioneve, duke parashikuar rritje të ndjeshme në vitet e ardhshme.

Sipas tij, rritja e bërë në janar do të dyfishohet në 2027, do të trefishohet në 2028, katërfishohet në 2029 dhe pesëfishohet në 2030. Rama njoftoi gjithashtu se po përgatitet një kolonë e dytë e sistemit të pensioneve, e cila do të funksionojë si skemë plotësuese e asaj ekzistuese.

Ai shpjegoi se punonjësit do të mund të kontribuojnë me një shumë të vogël nga paga e tyre, e cila do të dyfishohet nga shteti ose punëdhënësi, duke krijuar një fond individual që i shtohet pensionit bazë.

“Ndërkohë që kemi stabilizuar dhe kemi vënë në lëvizje një skemë rritjeje të përvitshme të pensioneve, çka është rritur në këtë janar do të dyfishohet në janarin e ardhshëm, do të trefishohet në janarin e 2028-ës, do të katërfishohet në janarin e 2029-ës dhe do të pesëfishohet në janarin e 2030-ës.

Po përgatisim edhe një kolonë tjetër të skemës së pensioneve, e cila i bashkëngjitet në mënyrë komplementare sistemit aktual, kolonës qendrore të pensioneve, duke krijuar një hapësirë të re dhe një mundësi të dytë mbështetjeje për të ardhmen.

Ideja është shumë e thjeshtë: çdo punonjës që zgjedh të kontribuojë me një shumë të vogël nga paga e tij, për shembull 1 euro në muaj, do të ketë një kontribut të barabartë nga pala tjetër, shteti ose punëdhënësi në sektorin privat. Në këtë mënyrë, kontributi dyfishohet dhe, muaj pas muaji, krijohet një fond individual, i cili i shtohet pensionit që përfitohet normalisht nga kolona e parë, skema ekzistuese.

Kjo nuk është absolutisht diçka “alla shqiptare”, sepse ne nuk bëjmë të tilla; po mësojmë nga përvojat më të mira dhe përpiqemi të sjellim këtu modele të sprovuara. Pra, është një model i mirënjohur që krijon mundësinë e krijimit gradual të një fondi pensionesh, për më shumë siguri për individin dhe për një lidhje më të qëndrueshme mes punonjësit dhe punëdhënësit, shtetit apo privatit. Një mekanizëm sigurie financiare për moshën e tretë dhe, e përsëris, një mekanizëm komplementar që nuk e prek, por e forcon mekanizmin aktual,” tha Rama.

Rreth 100 milionë euro janë parashikuar për rritjen e pensioneve në kuadër të skemës së re të mbështetjes për pensionistët në buxhetin e shtetit për vitin 2026./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top