Në futbollin italian gjërat ndryshojnë shpejt dhe këtë më së miri mund ta shpjegojë Aleksis Salemakers. Mesfushori belg kaloi nga titullar, te i padëshiruar dhe përsëri titullar te Milani, i cili tashmë i ka rinovuar kontratën lojtarit.

Me një njoftim në faqen e vet, klubi bëri të ditur se mesfushori ofensiv belg kishte nënshkruar një kontratë të re që hynte në fuqi më 1 korrik 2026, ndërsa përfundonte më 30 qershor 2031. Një vlerësim për futbollistin i cili është kthyer ndër emrat kyç të lojës së skuadrës së drejtuar nga Masimiliano Alegri.
Kjo është një situatë krejtësisht e ndryshme në krahasim me dy vitet e fundit, ku klubi kuqezi tentoi në çdo mënyrë ta largonte, duke e huazuar fillimisht te Bolonja e më pas te Roma. Por pas kthimit në bazë dhe afrimit të Alegrit, ai është bërë një element i pazëvendësueshëm, duke sjellë edhe rinovimin e kontratës së tij.
PANORAMASPORT.AL








