Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale që po mbahen sot në Kosovë ka qenë më e lartë se e shqiptarëve sipas të dhënave deri në orën 10:00.
“Deri në orën 10:00, pjesëmarrja ishte më e madhe në mjediset serbe sesa në ato shqiptare. Shpresoj në fitoren e Listës Serbe, shpresoj që një pjesë e pushtetit të mund të kthehet në duart e saj”, tha Vuçiç për gazetarët në Beograd.
Gjithashtu presidenti serb deklaroi se “shqiptarët janë shumë nervozë” për shkak të “pjesëmarrjes së madhe në zgjedhje” në mjediset me shumicë serbe.
Sipas Vuçiçit, shqiptarët nga të gjitha zonat, nga Tirana dhe Prishtina deri në Preshevë dhe Bujanoc janë “dehur pas fitores së mbrëmshme” të kombëtares së futbollit të Shqipërisë ndaj Serbisë, në Leskovc.
“Do të doja që sonte të ketë një festë më të rëndësishme në komunitetet serbe në Kosovë, krahasuar me atë festë”, tha Vuçiç.
Sot 12 tetor mbahen në Kosovë mbahen zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale.
KQZ-ja njoftoi se pjesëmarrja në votime deri në orën 11:00 ishte 7.84 për qind.
Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.









