TIRANË- Kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet lokale të 9 nëntorit janë zyrtarizuar ditën e djeshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ndërsa të shtunën përfundoi edhe afati i dorëzimit të dokumentacionit përkatës.
Partia Socialiste ishte e parë forca politike që shpalli kandidatët e saj në 5 bashki të vendit ku do të zhvillohen zgjedhjet, ndërsa nga ana e opozitës ajo që bie në sy, është prezenca e shtuar e kandidatëve të pavarur.
Dionis Sota, kandidat i pavarur, do të mbështetet nga Partia Demokratike për të garuar përballë Brunilda Mersinit, në Vlorë. Në Berat, opozita ka zgjedhur të mbështesë kandidatin e pavarur Pavlo Shkarpa, duke sfiduar kandidatin socialist Ervin Ceca.
Në Cërrik, Amarildo Hoxha garon si kandidat i pavarur me mbështetjen e opozitës, ndërsa Eligert Hima do të garojë gjithashtu si i pavarur nën siglën e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, përballë Florenc Doka të zgjedhur nga socialistët.
Mati ka regjistruar surpriza, ku Suzana Pasha, kryetare e Gruas së PS, ka shpallur kandidaturën e saj si e pavarur. Ndërkohë që Partia Socialiste kandidoi Altin Bojnin. Eduart Brahilikën, gjithashtu si kandidat i pavarur, mbështetur nga Partia Demokratike.
Në Tepelenë, Gramoz Sako garon për PS, ndërsa opozita mbështet kandidatin e pavarur Gabriel Guma.
Lista zyrtare e kandidatëve të pavarur
Vlorë: Dionis Sota (mbështetur nga PD)
Berat: Pavlo Shkarpa
Cërrik: Amarildo Hoxha (mbështetur nga PD)
Mat: Suzana Pasha (e larguar nga PS), Eduart Brahilika (mbështetur nga PD)
Tepelenë: Gabriel Guma (mbështetur nga PD)
KQZ pritet të shqyrtojë dokumentacionin dhe të shpallë zyrtarisht listën përfundimtare të kandidatëve në ditët në vijim. Më 9 nëntor do të zhvillohet zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashki të vendit. Qytetarët e Vlors, Beratit, Tepelenës, Matit dhe Cërrikut do t’i drejtohen qendrave të votimit për të kryetarët e rinj të bashkive. Bashkia Tiranë, edhe pse aktualisht pa kryetar, nuk do të shkojë në zgjedhjet e 9 nëntorit, pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e Presidentit Bajram Begaj pas ankimimi të kryebashkiakut Erion Veliaj për shkarkimin me vendim të qeverisë./ZËRI




