TIRANË- Zgjedhja e Avokatit të Popullit ende nuk po merr formë, ndonëse ditën e djeshme Partia Socialiste dhe Partia Demokratike arritën një konsensus. Socialistët deklaruan se nuk do të dalin me një emër kandidati dhe se do të pranonin e mbështesnin kandidaturat e opozitës, ndërsa këta të fundit propozuan mënjëherë formulën për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit.
Megjithatë, raportohet se Partia Socialiste ka konfirmuar se nuk do ta pranojë formulën e PD-së për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Mësohet po ashtu se në seancën plenare, 11 dhjetor, do të kalojë e gjithë lista e kandidatëve që ka marrë më shumë se 28 vota, teksa sipas burimeve, kandidati Endri Shabani pritet të marrë mbështetjen e PS-së.
Lista e kandidatëve e propozuar nga PD:
1. Aranita Brahaj
2. Besim Ndregjonaj
3. Jola Hysaj
4. Tartar Bazaj
5. Adriana Kalaja
6. Endri Shabani
Një ditë më parë, ishte vetë kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla, i cili deklaroi se nuk do të shqyrtojnë listën e opozitës për të mbështetue e votuar më pas një emër kandidat. Po në të njëjtën ditë, partia demokratike përmes një shkresë të firmosur nga kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi, propozuan formulën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Sipas formulës së PD-së, demokratët si pakicë do të zgjedhin 6 emra, ndërsa Partia Socialiste do të zgjedhë 3 prej tyre. Më pas, opozita do të çojë për votim në seancë vetëm njërin prej tyre.
Zgjedhja e avokatit të popullit është duke u zvarritur prej 3 vitesh, për shkak të mungesës së dakordësisë mes mazhorancës dhe opozitës. Për këtë shkak kjo detyrë vijon të ushtrohet nga Erinda Ballanca, edhe pse mandati i saj ka përfunduar prej kohësh./ZËRI





