Sipas gazetës sportive spanjolle “SPORT”, ylli i Bajernit, Herri Kejn, po mendon për një kalim të mundshëm te Barcelona – madje që pas përfundimit të këtij sezoni! Raporti bazohet në një klauzolë lirimi në kontratën e sulmuesit anglez, e cila zgjat deri në vitin 2027, dhe që do t’i lejonte atij të transferohej verën e ardhshme.
Sipas raportit, Kejn mund të largohej nga kampionët rekord të Gjermanisë për një shumë fikse prej 65 milionë eurosh. BILD dhe SPORT BILD kishin raportuar më parë për këtë klauzolë, e cila mund të ushtrohet nga vetë lojtari deri më 31 janar 2026. Por cila është e vërteta pas këtyre zërave për Barcelonën? Dihet që Kejn, në kundërshtim me shumë raportime nga Spanja dhe Anglia, aktualisht nuk po mendon për një transferim të mundshëm. Numri 9 i Mynihut e ka konfirmuar këtë vetë disa herë.
Në një intervistë ai tha: “Ne jemi në një fazë fantastike për momentin dhe unë nuk po mendoj për asgjë tjetër.” Kur u pyet për spekulimet lidhur me një rikthim të mundshëm në Angli, ai shpjegoi se kjo nuk është diçka që e ka në mendje për momentin. Por kjo nuk është e gjitha! Në javët e fundit, Kejn ka shprehur në disa raste për të zgjatur kontratën me Bajernin. Kur u pyet, pasi kishte arritur kuotën e 100 golave për klubin, nëse dëshironte të shënonte edhe 100 të tjerë në Mynih, ai u përgjigj:
“Po, këtu në Mynih. Kam ende pothuajse dy vjet në kontratë. Pra, nuk është sikur të isha në vitin e fundit dhe të gjithë të ishin në panik. Mendoj se klubi është i lumtur me mua dhe unë jam i lumtur me klubin. Kështu që po, këto biseda mund të ndodhin. Ende nuk kanë ndodhur, por nëse ndodhin, do të kemi një bisedë të hapur dhe të ndershme – për pozicionin tim dhe për të ardhmen e klubit.”
Përveç performancës së Kejn – me 22 gola këtë sezon, edhe lumturia e tij personale jep shpresë se ai do të qëndrojë. Kejn, bashkëshortja e tij Kejti dhe katër fëmijët e tyre ndihen jashtëzakonisht mirë në Mynih. Në fillim të tetorit, SPORT BILD raportoi se Bajern planifikon të rifilloj bisedimet për zgjatjen e kontratës me Kejn pas skadimit të klauzolës së lirimit në fund të janarit 2026. Deklaratat e javëve të fundit pra nuk sugjerojnë se Kejn po mendon seriozisht të largohet nga Mynihu së shpejti – as për në Spanjë dhe as për në Angli.
KLAJDI BAJO-PANORAMASPORT.AL









