TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha mblodhi sot Kryesinë e Partisë Demokratike, ku u diskuatuan një sërë çështjesh dhe u morën vendime të rëndësishme për këtë forcë politike.
Burime bëjnë me dije se afati i përfundimit i procesit për zgjedhjen e kryetarëve dhe kryesive në degë do të jetë 30 prillit. Po sipas burimeve, zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike janë planifikuar të mbahen më 23 maj. Ndërkohë, më 6 qershor pritet të zhvillohet edhe Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, ku do të formalizohen strukturat drejtuese dhe vendimmarrjet e reja politike të kësaj force.
Vetë Berisha ka zbuluar në mbledhjen e Kryesisë, se Kuvendi Kombëtar i PD do të mbahet në fillim të qershorit. Ai u bëri thirrje strukturave të vijojnë procesin e riorganizimit në degët e PD-së dhe ta finalizojnë atë brenda afateve të përcaktuara.
“Të vazhdojmë në këtë drejtim, të finalizojmë sipas përcaktimeve që u lexuan zgjedhjet në degë, ta mbyllim këtë proces, ta finalizojmë me Kuvendit në fillim të qershorit dhe rikthehemi krahas kryengritjes paqësore, rikthehemi tek përgatitjet për zgjedhjet vendore, për të cilat duhet të angazhohemi me të gjithë forcën”, tha Berisha.
Gjatë mbledhjes së Kryesisë është vendosur edhe ngritja e një grupi pune që do të merret me rishikimin e statutit të partisë. Sipas burimeve, grupi do të kryesohet nga Gazment Bardhi, ndërsa anëtar do të jenë edhe përfaqësues të partisë.
Grupi për Rishikimin e Statutit:
1. Gazment Bardhi – Kryetar
2. Oerd Bylykbashi – Anëtar
3. Ivi Kaso – Anëtar
4. Gent Strazimiri – Anëtar
5. Enno Bozdo – Anëtar
6. Elda Hoti – Anëtar
7. Keltis Kruja – Anëtar
8. Adriana Kalaja – Anëtar
9. Marash Logu – Anëtar
10. Franc Nuri – Anëtar



