TIRANË- Në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm është diskutuar për “Statusin e Minatorit”, një projektligj i propozuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Gjatë diskutimeve mes palëve, deputeti socialist, Vullnet Sinaj, doli haptas kundër këtij projektligji, duke shprehur se minatorët nuk mund të kërkojnë status të veçantë.
Madje, në fjalën e tij, socialisti e krahasoi punën e minatorit me atë të balerinit. Sipas Sinajt, në këtë frymë mund të kërkojnë status të veçantë edhe balerinët pasi edhe ata kanë punë të vështirë.
“Që mos të kemi statuse të veçanta për secilin sektor, se mund të ngrihet nesër edhe këta të baletit të kërkojnë edhe këta status për punën e tyre, se edhe ata vështirësi kanë atje, lodhen dhe ata. Ne kemi bërë një ligj të përgjithshëm për këtë gjë dhe nga 2019-ta deri më sot ne jemi dhe dy herë të tjera në pushtet, do të thotë që e kemi zgjidhur në atë mënyrë që e kanë pranuar ligjin dhe minatorët dhe naftëtarët të gjithë së bashku”, u shpreh deputeti i PS.
“Statusi i Minatorit” parashikon uljen e viteve të punës për pension të parakohshëm, rritje të pensionit suplementar, kompensim të plotë në aksidente dhe pension familjar sa 50% e pagës kur një punonjës i minierës humb jetën./ZËRI



