VIDEO/ “Paradhënie” për play-off të Botërorit, Juljan Shehu shënon dhe feston me shqiponjë në Poloni
Juljan Shehu vazhdon të jetë një nga lojtarët më të spikatur të Vidzev Lodz, në kampionatin polak të futbollit, edhe pse skuadra e mesfushorit të Kombëtares shqiptare, po kalon në periudhë jo edhe aq të mirë dhe aktualisht gjendet në pjesën e poshtme të klasifikimit.

Në ndeshjen e sotme ndaj Korona Kielce, Shehu ka qenë përsëri protagonist me klubin e tij, duke shënuar një gol në humbjen 3-1 të skuadrës së Vidzev.
Në startin e pjesës së dytë, pas zhvillimit të një goditje nga këndi, ai ishte i aftë të niste aksionin për të bërë devijimin e duhur, duke çuar sferën në rrjetë për të shkurtuar përkohësisht diferencën në 2-1.
SHIH VIDEON
Një gol të cilin ai e festoi si zakonisht me “shqiponjë”, teksa këtë radhë ka shijen e një “paradhënie” për duelin e marsit në play-off të Botërorit që Shqipëria do të luajë pikërisht në Poloni ndaj vendasve. Dhe Shehu ka treguar se di të shënojë në Poloni, pasi ky ishte goli i tij i katërt në kampionatin polak në këtë sezon, duke barazuar që tani numrin e rrjetave të tundura një edicion më parë.
PANORAMASPORT.AL








