Interi fitoi sot me shifrat 2-1 ndaj Veronës në Serinë A dhe rezultatin e zhbllokoi një supergol i shënuar nga Piotr Zielinski.

Ishte një skemë në goditje këndi pasi Çalhanollu lëshoi një trajektore të prerë dhe Zielinski me një goditje fluturimthi nga distanca çoi sferën në rrjetë.
SHIH VIDEON
Menjëherë pas golit të gjithë vrapuan drejt pankinës dhe përqafuan ish-futbollistin italian, Anxhelo Palombon, i cili është pjesë e stafit të Kivu te zikaltrit. Arsyeja është se skemën në fjalë e kishte sugjeruar ai një ditë më parë, siç tregoi vetë Zielinski pas ndeshjes.
“Dje e kemi provuar në stërvitje, Palombo studion këto gjëra dhe sheh kampionate të ndryshme, sheh mundësi të tilla, ndaj e provuam dje. Ishte një top shumë i bukur i Çalhanollu dhe një gol i madh”, tha ZIelinski për golin që shënoi.
Ndërkohë, vetë trajneri Kristian Kivu pranoi se kishte qenë kundër një skeme të tillë, edhe pse në fund ajo solli një gol avantazhi që po bën xhiron e rrjetit.
“Skema për golin e Zielinskit është meritë e Palombos, unë isha kundër pasi nëse humbnim topin, ata do të niseshin në kundërsulm. Por pastaj kur ke lojtarë të fortë si Çalhanollu apo Zielinski…”, ishin fjalët e trajnerit të Interit pas ndeshjes.
PANORAMASPORT.AL








