VIDEO/ Berisha për Reformën Territoriale: Rama synon shpopullimin! Çfarë do bëjmë ne?


VIDEO/ Berisha për Reformën Territoriale: Rama synon shpopullimin!

Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar reformën territoriale gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se përmes kësaj reforme synon shpopullimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Berisha u shpreh se projekti i propozuar nga qeveria, i cili parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 62 në 36, është i destinuar të dështojë dhe nuk reflekton interesat reale të qytetarëve.

I pyetur nga qytetarët mbi bashkëpunimin me aleatët për realizimin e reformës territoriale, Berisha theksoi se Partia Demokratike do të ndjekë një qasje gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në konsultim të gjerë. Sipas tij, PD do të bashkëpunojë me ekspertët më të mirë shqiptarë dhe do të zhvillojë takime në të gjitha qarqet e vendit për të mbledhur mendimet dhe propozimet e qytetarëve, mbi të cilat do të hartohet projekti alternativ i reformës territoriale.

“Së pari, ne jemi të bindur dhe duhet t’ua them të gjithë shqiptarëve se Edi Rama nuk pranon asnjë ndryshim tjetër përveç atyre që propozon vetë, e cila reformë synon depopullimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Ju duhet ta dini se ai tani parashikon nga 62 bashki të kalojë në 36 bashki.

Kjo është praktika e nxitjes së largimit masiv nga periferitë të shqiptarëve. Çfarë do bëjmë ne? Meqenëse ky është një problem shumë themelor me vendin, ne do bashkëpunojmë ngushtë me ekspertët më të mirë shqiptarë. Ekipi ynë do të bëjë takime në të gjitha qarqet për të marrë mendimet e qytetarëve. Do të hartojë projektin tonë.

Nuk mund të them se sa do jetë, por u rikujtoj se Sllovakia me një popullsi pak më të madhe se ne, ka 210 komuna dhe bashki. Sllovakia, dy herë më e zhvilluar, ka 210 komuna dhe bashki. E cila ka një mal gjithsej, ndërsa Shqipëria ka male numerikisht sa gjithë Europa si numër. Pra, ne do bëjmë një projekt në përputhje me interesat e plota të qytetarëve dhe të zhvillimit të komuniteteve.

Këtë projekt do e diskutojmë me ju, me qytetarët. Këtë projekt do e paraqesim në komisionin e reformës territoriale. Këtë projekt do ta diskutojmë me Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës që është institucioni numër një me ekspertizën më të madhe për reformën territoriale.”- tha ai.

Partia Demokratike ka bojkotuar prej disa javësh Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale, duke refuzuar të ulet në tryezë me argumentin se mazhoranca socialiste po pengon drejtësinë në lidhje me çështjen “Balluku”./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top