TIRANË-Kryeministri Edi Rama në podkastin ‘Flasim’ ka deklaruar se qeveria ka nisur analizën e thelluar lidhur me funksionimin e pushtetit gjyqësor. Analiza sipas Ramës ka nisur pas pezullimit nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres Belinda Balluku dhe së dyti pas një tentative nga gjyqtarë dhe prokurorë për të rritur vetë pagat e tyre, duke rënduar arkën e shtetit.
Edi Rama: Siç e kam përmendur disa ditë më parë kemi nisur analizën e thelluar të shenjave shqetësuese të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor, pas dy kulminacioneve shumë të forta: Pezullimi antidemokratik i një anëtari qeverie nga një prokuror e gjykatës me një vendim të shkallës së parë dhe tentativa e magjistratëve, gjykatës dhe prokurorë bashkë të Shqipërisë për të rritur vetë pagat e tyre, duke shqyer arkën e shtetit. Vetë Ali dhe vetë Kadi. Mes të tjerash këto dite, kam rilexuar një raport të para disa kohësh, shkruar nga ekspertë të Këshillit të Evropës mbi përdorimin brutal dhe masiv të paraburgimit në Shqipëri – një rekord negativ absolut i drejtësisë shqiptare, e cila e ka vendosur Shqipërinë në pozicionin më të keq në Europë, por jo thjeshtë në fund, por me dallim të frikshëm nga rajoni dhe nga pjesa tjetër e Europës, po se po.



