TIRANË-Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela u pyet nga deputetët e opozitës për gjyqtaren Irena Gjoka të cilën e akuzojnë se ka fshehur një dënim nga Greqia për falsifikim dokumentesh. Çela, tha se periudha e verifikimit të çështjes së gjyqtares së Posaçme Irena Gjoka, nuk ka afat. Prokurori u shpreh se mosdeklarimi i të dhënave të vërteta në formularin e dekriminalizimit përbën vepër penale.
Pyetje: Irena Gjoka, rezulton e dënuar në Greqi, fakt që se ka deklaruar. A përben vepër penale, nëse po mund të na e specifikoni. Po sanksione administratave?
Olsian Çela: Kjo çështje u trajtua edhe gjatë raportimit që bëmë në komisionin e ligjeve. Po përbën vepër penale, ishin 13 raste që ia kemi referuar prokurorisë së përgjithshme sa i përket deklarimit të të dhënave të rreme në formularin e dekriminalizimit, ka sanksione penale sa i përket kësaj çështje, sa i përket sanksioneve administrative, në përfundim të verifikimit ia dërgojmë organit kompetentet që vlerëson hapat e mëtejshëm që kanë të bëjnë me sanksionet administrative. Në rastin në fjalë çështja lidhet me kthimin e përgjigjeve ndaj letërporosive, që nuk janë në dorën tonë. Ne kemi kërkuar që të dhënat të jenë të plota në mënyrë që t’i shërbejnë të gjitha organeve. Verifikimi na është kërkuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Edhe me SPAK kemi pasur komunikimet përkatëse duke u dërguar materialet që lidhen me rastin. Ajo që mund të them është se Prokuroria e Përgjithshme është përpjekur të tregojë transparencë të plotë me këdo që ka pasur interes për të marrë informacion.



