TIRANË- Një tjetër çështje e sjellë në vëmendje nga kryeministri Edi Rama, këtë të dielë në podcastin “Flasim” ishte edhe vendimi i Kushtetueses për bllokimin e TikTok. Rama komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi bllokimin e TikTok-ut, të cilin e konsideroi të panevojshëm, pasi sipas tij, asi nuk kishte më konflikt dhe se çfarë diskutohej.
Kryeministri theksoi se falë atij bllokimi u arrit që sot të ketë një sërë filtrash dhe masa që lidhen me ndalimin e gjuhës së dhunës. Ndërkohë që u shpreh se qeveria së bashku me kompaninë ka marrë një sërë masash.
“Tani vendimet e gjykatave natyrisht janë për t’u zbatuar, por unë nuk mendoj se vendimet e gjykatave janë në të gjitha rastet edhe për të mos u komentuar sepse them se është mirë edhe për trupën e prokurorit dhe të gjykatësve të Shqipërisë, që të përballen me opinionin e kritikës gjithmonë konstruktive për të përmirësuar dhe ata punën e tyre, pasi të trajtuarit e tyre si “lule mos më prek” edhe pasi kanë përfunduar proceset, nuk ndihmon në përmirësimin e cilësisë së drejtësisë. Dhe faktikisht, ne kemi sot në zotërim, falë atij bllokimi filtra algoritmik apo të verifikimit të moshës, kemi një sërë masash që lidhen me gjuhën e dhunës, me vetë gjuhën shqipe që s’ishte fare në radarin e TikTok-ut deri në atë kohë dhe kemi realisht një bashkëpunim konstruktiv me platformën, kështu që ndalimi i përkohshëm solli pikërisht të gjitha këto rezultate.
Një kompani shumë miliardëshe erdhi në tryezë bisedimesh me një shtet të vogël, i cili në të gjithë vlerën e vet është nën vlerën e kompanisë dhe nuk është i vetmi shtet. Këto kompani janë më të mëdha se shumë shtete të marra së bashku për nga kapitali, vlera e kapitalit që ato kanë në zotërim.
Dhe këtu hyn Gjykata Kushtetuese, si kofini pas të vjelit dhe nuk merr parasysh detyrimin kushtetues që Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë se fëmijët kanë drejtën e një mbrojtje të veçantë nga shteti dhe se duhet të mbrohen nga çdo praktikë që mund të dëmtojë shëndetin dhe zhvillimin e tyre dhe nuk merr parasysh as faktin që bllokimi i TikTok-ut nga ana jonë, jo vetëm që nuk u kundërshtua apo nuk u vu në dyshim nga institucionet ndërkombëtare, duke filluar nga Bashkimi Europian, por përkundrazi u komentua pozitivisht në një sërë platformash mediatike të shumë e shumë shteteve në Europë dhe përtej saj, në një periudhë kur shumë vende po përpiqen të marrin masa të tilla dhe kur faktet tregojnë se algoritmet e këtyre platformave mund të prodhojnë efekte të dëmshme tek fëmijët, nga ankthi, deri tek sjelljet vetëlënduese apo tek shfaqjet brutale të dhunës që mund të çojë largqoftë deri në humbjen apo marrjen e jetës së tjetrit, atëherë mosveprimi i shtetit nuk është neutralitet dhe në këtë kontekst, e ashtuquajtura liri e fjalës, me të cilën abuzohet kaq shumë, nuk ka absolutisht as edhe një lidhje. Gjithsesi, Gjykata Kushtetuese e ka marrë vendimin e vet. Një vendim i panevojshëm, në rastin më të mirë, sepse nuk kishte më konflikt dhe nuk kishte më se çfarë të diskutohej dhe ndërkohë, ne kemi bërë punën tonë dhe kemi marrë atë që prisnim të merrnim nga bllokimi i TikTokut”, tha Rama./ZËRI



