TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtuese, e cila rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e Erion Veliaj. Përmes një postimi në paltformën X, Rama thekson se kushdo që ka në dorë të ndihmojë zgjidhjen e ngërçit, referuar zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, duhet të ketë parasysh se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim. Kreu i qeverisë ironizoi vendimin, duke nënkuptuar se Tirana nuk mund të udhëhiqet nga një kryebashkiak i arrestuar. Lidhur me këtë, Rama shprehet se ngërçi i krijuar është në dëm të kryqytetit.
Reagimi i Edi Ramës:
Disa rrjedhime logjike nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese:
1. Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë apo jo
2. Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo
3. Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo
Pika 1 dhe 2 janë të sigurta, pika 3 mbetet për t’u parë, ndërkohë le të urojmë që kushdo ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqytetu nuk mund të trajtohet si jetim, për vite me radhë.
Gjykata Kushtetuese e shpalli më datë 3 nëntor vendimin për shkarkimin e kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj. Po ashtu, Kushtetuesja ka shfuqizuar edhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, më datë 9 nëntor. Vendimi i Kushtetueses në favor të Veliajt vjen pas përballjes mbi 7 orë seancën publike të 31 tetorit, ku ishte i pranishëm edhe vetë kryebashkiaku i cili u përball me kryeministrinë dhe presidencën, njëra që firmosi shkarkimin e tij, e tjetra që dekretoi zgjedhje në kryeqytet./ZËRI





