TIRANË-Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, teksa replikonte me kreun e grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhin, përmendi në Kuvend rastin e vëllait të deputetes Elda Hoti, i cili u arrestuar një ditë më parë në Romë i akuzuar për trafik të lëndëve narkotike.
Balla tha se nëse do të kishte qenë familjar i një prej socialistëve, opozita do të kishte shpërthyer në akuza. Mes të tjerash ai tha se opozita ‘narkosin e paska në shtëpinë e vetë’.
Taulant Balla: Imagjinoni sikur ngjarja e ndodhur ndaj familjarëve të një deputeteje të PD t’i kishte ndodhur njërit prej PS. Ju do të kishit ardhur këtu, do të kishit bllokuar foltoren, do të bërtisnit ‘në burg, arrestojeni’! Është grup i strukturuar kriminal se vëllai dhe motra. Ç’punë ka motra me çfarë bën vëllai, në kuptimin e ligjit? Nuk keni për të dëgjuar asnjë deklaratë nga ne kështu. Se na doli narkosi, vëllai i Elda Hotit. Nuk do të bëjmë ne asnjë deklaratë, as për rastin në fjalë, meqë narkosin paskeni brenda shtëpisë tuaj.
Markelian Hoti, vëllai i deputetes Elda Hoti, u arrestua një ditë më parë (18 shkurt) nga autoritetet italiane në Romë, ku ishte fshehur në një hotel bashkë me të dashurën, në zonën Ponte di Nona. Arrestimi u bë pas një hetimi të koordinuar nga Interpol dhe policia antidrogë. 27-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pas një urdhër-arresti europian për trafik droge nga Amerika e Jugut drejt Europës. Ai dyshohet se kishte rol kyç në një rrjet kriminal që sillte kokainë në portin e Antwerp, për ta shpërndarë më pas në vende të tjera./ZËRI



