Veliaj u rikthye në detyrë! Rama: Absurde! E dëmshme mbajtja e tij në qeli, gjëja më normale të hetohet i lirë


Veliaj u rikthye në detyrë! Rama: Absurde! E dëmshme mbajtja e

Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka komentuar në podcastin “Flasim” sërish vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që ktheu Erion Veliaj në detyrë në krye të Bashkisë Tiranë. Rama e konsideroi situatën e krijuar si një ngërç absurd, ndërsa iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke thënë që të lërë të lirë Veliajn. Sipas tij nëse Tirana nuk ka zgjedhje deri në vitin 2027, qëndrimi i Veliajt në qeli është i dëmshëm për të si person por edhe për drejtimin e kryeqytetit.

Edi Rama: Ka disa rrjedhime logjike nga ky vendim që dua ti ri nënvizoj, pasi e kam shprehur. Siç duket dhe nuk është hera e parë, unë nuk i paskam kapur të tëra pushtetet, është gjë e mirë që duhet ta pranoj dhe ata që e kundërshtojnë jo mbi të vërtetat, por mbi të pavërtetat. Tirana nuk do ketë zgjedhje deri në 2027 dhe kushtetuesja mendon se kryebashkiaku s’mund të largohet veçse me zgjedhje këtu jemi përballë një disproporcioni të dyfishtë, të mbajtjes së tij në qeli në dëm të të drejtave kushtetuese si person dhe si i zgjedhur për të drejtuar qytetarin, pro edhe disproporcion në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit. E vërteta është e thjeshtë, Tirana duhet drejtuar, Tirana nuk mund të jetë një trup pa kokë, kryeqyteti i Shqipërisë ka nevojë për të zgjedhurin e vet mbi krye. Kështu që kush ka në dorë të ndihmojë në zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, duhet të kujtohet se përtej teorive të konspiracioneve, kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë. Ky është një skandal, skandal për të cilin qytetarët e Tiranës paguajnë një kosto.

Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga post i kryebashkiakut të Tiranës. Vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve ka qenë 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës. Konkretisht Gjykata vlerësoi se Këshilli Bashkiak dhe Qeveria kanë vepruar në shkelje të Kushtetutës kur shkarkuan Erion Veliajn me argumentin se nuk u paraqit 3 muaj në detyrë. Gjykata arsyetoi se Qeveria ka shkelur të drejtën kushtetuese të Veliajt për një proces të rregullt ligjor, pasi ai nuk është njoftuar dhe nuk është dëgjuar përpara vendimit për shkarkim.

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Në njoftimin e SPAK thuhet se çifti kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për ‘shpërdorim detyre’, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, ‘futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim’ dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top