TIRANË– Kryeministri Edi Rama, në një takim me qytetarët e njësisë 5 në Tirana, komentoi edhe rikthimin e kryebashkiakut Erion Veliaj pas vendimit të Kushtetueses, që rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij. Rama tha se Veliaj është në burg pa gjyq dhe ky është një paradoks i madh, ndërsa kërkoi nga Kushtetuesja që ta çojë deri në fund vendimin t’i mundësojë Veliajt të drejtojë Tiranën. Kreu i qeverisë thekson se Tirana ka nevojë për një drejtues, dhe se pasojat e gjithë kësaj situata që vijon prej muajsh, i vuajnë qytetarët.
“Kryetarin e Bashkisë së Tiranës e kemi në burg pa gjyq, jemi në një paradoks të madh. Kur kryetari u mor dhe u tërhoq nga zyra për tu futur në qeli si i paraburgosur gjë që ndodh vetëm për njerëzit shumë të rrezikshëm, e kam thënë që është disproporcionale. Çdo njeri në Shqipërinë dhe botën demokratike, deri kur gjykata e nxjerr fajtor është i pafajshëm. Nuk diskutohet që njeriun e merr, e fut brenda dhe lëshohen hijena dhe kllounat e ciklit politik dhe mediatik, vjen njëherë dënimi publik më pas pjesa tjetër. Duke parë që shkallët e gjyqit nuk e nxorën të kryejë detyrën, ne menduam që Tirana nuk ka arsye të paguaj për një kohë të gjatë. Ne menduam në respekt të plotë të ligjit, sepse ligji thotë dy gjëra të ndryshme, tjetër për deputetin dhe tjetër për të zgjedhurin. Kushtetuesja doli me një vendim tjetër, nuk kam arsye të gjykojë që e kanë parë nga një këndvështrim i arsyeshëm por i kundërt me gjykimin tonë. Kanë thënë që kryetari i Bashkisë është në pamundësi të ushtrojë detyrën. Jepini mundësinë të ushtrojë detyrën, por deri atëherë ne jemi këtu dhe ju jeni këtu dhe të gjithë atyre në këtë qytet iu duhet që qyteti të punojë normalisht. Ne po e mbështesim bashkinë që të bëj më të mirën për buxhetin, ne menduam me Ogertën që të vazhdojmë të komunikojmë në këto dëgjesa në të gjithë territorin.”, u shpreh Rama.
Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga post i kryebashkiakut të Tiranës. Vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve ka qenë 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës. Konkretisht Gjykata vlerësoi se Këshilli Bashkiak dhe Qeveria kanë vepruar në shkelje të Kushtetutës kur shkarkuan Erion Veliajn me argumentin se nuk u paraqit 3 muaj në detyrë. Gjykata arsyetoi se Qeveria ka shkelur të drejtën kushtetuese të Veliajt për një proces të rregullt ligjor, pasi ai nuk është njoftuar dhe nuk është dëgjuar përpara vendimit për shkarkim.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Në njoftimin e SPAK thuhet se çifti kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për ‘shpërdorim detyre’, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, ‘futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim’ dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI



