Veliaj mbetet kryebashkiak i Tiranës/ ‘Karrigia’ që përfshiu në “luftë ligjore” 4 institucionet shtetërore


Veliaj mbetet kryebashkiak i Tiranës/ 'Karrigia' që

Loreta Koleci

TIRANË-Nuk ka zgjedhje në Tiranë, Erion mbetet kryetar i Bashkisë mbetet Erion Veliaj. Por le të kthehemi pas në kohë për të parë kronologjinë e gjithë ngjarjes, nga shkarkimi, te vendimi i qeverisë, dekreti i Begajt, e deri tek mbrojtja e Veliajt në Gjykatën Kushtetuese rreth 7 orë.

Saga e ngjarjeve nisi pikërisht brenda familjes socialiste, më 11 shtator, kur Rama nga Asambleja e PS-së njoftoi se në kryeqytet duhej të mbaheshin urgjentisht zgjedhje, madje duke shpallur edhe kandidaturën e Ogerta Manastirliut. Pas kësaj deklarate, Këshilli Bashkiak i Tiranës u mblodh më 23 shtator, ku të gjithë këshilltarët e partive bashkuan votat. Veliaj u shkarkua me 50 vota nga posti i kryebashkiakut, me argumentin e mosparaqitjes për tre muajsh në bashki, pasi ai ndodhet në burg që nga 10 shkurti i këtij viti. Veliaj kërkoi të dëgjohej dhe të ishte i pranishëm në mbledhjen për shkarkimin e tij, por kërkesa e tij u hodh poshtë. Më 24 shtator, prefekti i Tiranës përcolli kërkesën e Këshillit Bashkiak drejt Kryeministrisë për miratim. Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave miratoi kërkesën e Këshillit Bashkiak, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë.

Me firmën e Presidentit Bajram Begaj, më 1 tetor u vendos që zgjedhjet e parakohshme të mbaheshin më 9 nëntor. Por shkarkimi i tij ndodhi pa u respektuar afati 15 ditor i Erion Veliajt për të ankimuar vendimin në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi që jep verdiktin. Në këto kushte Veliaj ankimon në Gjykatën Kushtetuese vendimet e 3 institucioneve ligjvënëse për shkarkimin e tij.

Rreth një javë më vonë, situata u përmbys, Gjykata Kushtetuese rrëzon dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e 9 nëntorit. Në arsyetimin e vendimit, Gjykata Kushtetuese theksoi se, nëse do mbahej në fuqi dekreti i Begajt, do të sillte pasoja të pariparueshme për Erion Veliajn. Pas ankimit të vendimit nga Veliaj, në Gjykatën Kushtetuese u mbajt seanca më 31 tetor, një seancë e cila zgjati 7 orë, ku të gjitha palët u dëgjuan. Ndryshe nga mbledhja në Këshillin Bashkiak Veliaj ishte i pranishëm, ku dëshmoi edhe për publikun. Ai iu përgjigj pyetjeve nga gjyqtarët, përfaqësuesit ligjorë të Qeverisë, si dhe përfaqësuesit ligjorë të Presidencës. Vendimi erdhi brenda një afati rekord, nga 30 ditë të përcaktuara, Gjykata doli me vendimin pas tre ditësh.

Gjykata Kushtetuese vendosi që Veliaj të mbetet në krye të Bashkisë së Tiranës. Trupa gjykuese votoi me 5 vota pro dhe 3 kundër, në favor të Veliajt. Përmes vendimit zyrtar, Gjykata Kushtetuese argumentoi se shkarkimi i Veliajt mund të bëhej vetëm në bazë të nenit 115 të Kushtetutës, pra vetëm për shkelje të rënda kushtetuese. Gjykata u shpreh se Këshilli Bashkiak dhe Qeveria kanë vepruar në shkelje të Kushtetutës kur shkarkuan Erion Veliajn me argumentin se ai nuk ishte paraqitur në detyrë për 3 muaj.

Po ashtu, Gjykata arsyetoi se Qeveria ka shkelur të drejtën kushtetuese të Veliajt për një proces të rregullt dhe ligjor, pasi ai nuk është njoftuar apo nuk është dëgjuar përpara marrjes së vendimit për shkarkimin. Pra, skenari për zgjedhje në Tiranë ra!

Ajo që u pa pas vendimit të Kushtetueses ishte festa me fishekzjarre pranë paraburgimit ku qëndron Erion Veliaj në Durrës. Ndërsa nga kampi i kundërshtarëve nuk pati festë, por reagime të menjëhershme që erdhën nga dy kandidatët: Florjan Binaj dhe Arlind Qori. Kandidati i pavarur, i mbështetur nga opozita, Florjan Binaj, deklaroi përmes rrjeteve sociale se kurdo që të mbahen zgjedhjet ai do të jetë i gatshëm për të kandiuar, pasi qytetetarët e Tiranës presin ndryshimin. Ndërsa Arlind Qori, përmes një video-mesazhi, u shpreh se ky vendim ka ardhur i komanduar nga Rama, si pasojë e përçarjes së Partisë Socialiste dhe si tregues se pushtetit të mazhorancës po i vjen fundi.

Ndërsa një reagim erdhi nga kreu i qeverisë, Edi Rama, Ai u shpreh se kushdo që ka në dorë të ndihmojë zgjidhjen e ngërçit, duke iu referuar zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, duhet të ketë parasysh se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim.

Se si do të vijojë puna në Bashkinë e Tiranës me kryetarin e arrestuar, mbetet për t’u parë!/ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top